Në bashkinë Kurbin ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, një investim i Qeverisë Shqiptare, i cili do të sigurojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për afro 30 mijë banorë të qytetit të Laçit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kreun e AKUM, Alqi Bllako dhe kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara inspektuan nisjen e punimeve, ku u njohën gjithashtu edhe me masat e sigurisë të marra për punonjësit e këtij kantieri, në funksion të mbrojtjes nga virusi COVID-19.
Mungesa e investimeve prej shumë vitesh në këtë sektor në Laç, ka sjellë amortizimin e rrjetit, duke rritur nivelin e humbjeve në rrjet dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në kufizimin e orarit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët.
“Për shkak për shkak të komplekstiteti dhe vështirësisë në implementim, projekti është i ndarë në dy faza. Faza e parë sapo ka filluar, ndërsa faza e dytë do të fillojë brenda vitit 2020. Në tërësinë e tij projekti konsiston në rehabilitimin tërësor të rrjetit të jashtëm, pothuajse 7 kilometra të ujësjellësit të Laçit, ndërtimin e dy depove të reja, rehabilitimin e depos ekzistuese, rehabilitimin e dy puseve ekzistuese, ndërtimin e një pusi të ri si dhe ndërtimin e pothuajse 70 kilometrave rrjet të brendshëm. Të gjithë qytetarët e Laçit do të pajisen me matësa individualë dhe rrjeti i ujësjellësit do të ketë një sistem automatik të klorifikimit dhe sistem SCADA”, bëri të ditur kreu i AKUM, Alqi Bllako.
Duke e cilësuar hapjen e kantiereve si një lajm të mirë në këto ditë të vështira, ministrja Belinda Balluku, theksoi se po vijon hapja e kantiereve, të cilat përfshijnë investime jetike për qytetarët, pavarësisht vështirësive që lidhen me mungesën e bazës materiale nëpër kantiere për shkak se shumë kompani jashtë vendit kanë pezulluar punën.“Duhet të theksojmë që ky projekt financohet totalisht nga buxheti i shtetit, pra nga Qeveria Shqiptare dhe është një projekt që arrin shifrën e 500 milionë lekëve. Ndodhemi në kushte të vështira për të thënë të drejtën dhe të gjitha projektet jetike po mundohemi t’i çojmë përpara dhe mos krijojmë vonesa. Vonesa mund të ketë përsa i përket bazës material, e cila përdoret në projekte, pasi padyshim shumë nga fabrikat, apo shumë nga shtetet nga të cilat ne importojmë disa nga materialet, janë në vështirësi dhe sot janë mbyllur. Megjithatë ne kemi gjithë dëshirën e mirë për të vazhduar përpara dhe për të qenë pak a shumë në afate”, u shpreh Balluku.
Nisja e punës nëpër kantiere, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk mund të bëhet pa garantuar më parë kushtet e sigurisë për punonjësit. Në këtë pikë, ministrja tha se do të ketë mbikëqyrje të rreptë të masave që lidhen me pajisjen e punonjësve me maska dhe doreza mbrojtëse, si dhe ruajtjen e distancimit social.“Fokusi kryesor, që ne kemi në kantieret tona është siguria e punonjësve. Duhen ruajtur kushtet e sigurisë për sa i përket problematikës që ne kemi sot me COVID-19. E para duhet ruajtur distanca dhe fati i madh i projekteve infrastrukturore është që punohet në ambiente të hapura, punëtorët janë në distancë sigurie dhe sigurisht janë të gjithë të pajisur me maska dhe me doreza. Kështu që, përveç të gjitha anëve teknike të projektit që duhet të përmbushim, është shumë e rëndësishme, që në çdo kantier të ketë mbikëqyrje shumë rigoroze përsa i përket plotësimit të rregulloreve në fuqi, të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për mos përhapjen e COVID-19”, deklaroi ministrja Balluku.
Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, falënderoi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, për këtë investim të cilin e cilësoi si investimin më të madh që po bëhen në këtë zonë prej 50 vitesh. “Është investimi më i madh që i bëhet Kurbinit prej 50 vitesh. Është një rrjet i plotë i ujësjellësit që do bëjë të mundur furnizimin me ujë 24 orë të njësisë administrative Laç dhe përfitues të kësaj janë rreth 30 mijë banorë. Unë shpreh falënderimet e mia për këtë investim madhor që i vjen Kurbinit”, tha Cara.Ky investim do të garantojë furnizim 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi në zonën urbane të Laçit, do të bëjë të mundur eliminimin e humbjeve dhe ndotjeve të ujit në rrjet, pajisjen e të gjithë abonentëve me matësa si dhe do të reduktojë ndjeshëm kostot e energjisë elektrik duke ndikuar drejtpërdrejt në performancën financiare të UK Kurbin.