Nga Dritan Hila/

Shkova te një shoqëri interneti në Vlorë. Dua ta lidh në shtëpi pasi kaq kohë që trafikojmë nga celulari, por tjetër punë pushimet dhe tjetër virusi. Kohëzgjatja e covidit më thotë që izolimi do zgjasë dhe vend më të mirë sesa Vlora, ku gjen mal e det për pak kilometra, nuk më ngjan se gjej. Dhe puna do kompjuterin.Duke bredhur rrugëve pashë tabelën e njërës prej “gjigandeve” shqiptare të internetit. Hyra dhe pas një banaku që i kishin vendosur një shirit të vizuar, nga ato që përdor policia në skenën e krimit, qëndronin dy vajza. Mund të ishin edhe gra, por ka ca kohë që femrat në harkun 25-45 vjeç, të mos t’i dalloj moshën që kanë. I pyeta nëse është e mundur. Nga dy pritëset, njëra nuk i ngriti sytë, ndërsa tjetra me një vështrim sikur thoshte “ti nuk din as me ma lyp”, me sy mbyllur përgjysmë më tha: -Ncuq.

-Po pse?,-pyeta.Nuk e mbulojmë atë zone, më tha, me ton sikur pas meje ishin 40 të tjerë qe prisni. Ika.Ndërkohë hapa celularin për të parë për një shoqëri tjetër të madhe. I gjeta numrin dhe i rashë. Nga krahu tjetër u hap telefoni por nuk dëgjohej zë. Alo, thirra si një person i cili troket në një dere të panjohur dhe ajo hapet nga goditja por askush nuk përgjigjet brenda. Alo, rishtas. Më së fundmi u dëgjua një zë i zvargur femëror. Në përfytyrim me vetëtiu pamja se nga krahu tjetër do ishte një lopë e shtrirë në bar e cila dinte të fliste si njeri, dhe mes ripërtypjes më ktheu përgjigje. Për t’u siguruar rishtaz formova tingullin pyetës: Alo? Ketë radhë zëri erdhi me njerëzor por prapë i zvargur. Dyshova se më përgjigjej ndonjë call center nga India. Ndaj për herë të tretë vazhdova me investigimin: Shqiptare jeni, kërkoj të flas me një përgjegjëse te firmës.“Po po ne jemi, mu përgjigj”. Këtë radhë zëri ishte pak i ngjirur. Menjëherë harrova dyshimet e para dhe krijova bindjen se vajza ka kaluar një nate luanësh dhe unë kisha telefonuar në çastin kur asaj po i hapej koka. Duke menduar çfarë do përgjigjesha po të me fliste harbutshe, i shtrova pyetjen nëse mund të më lidhte internetin në Vlorë. Përgjigja ishte e thatë, nga ato të radhës së vajgurit dikur: nuk kishin fare degë në Vlorë, duke e shqiptuar emrin e Vlorës sikur ishte ndonjë humbëtire që mezi e kujtoi. Faleminderit, i thashë. Nga ana tjetër dëgjova një vërshëllimë të shkaktuar nga mërmëritja e berë me përtesë. Me siguri ka thënë për mua copë katundari Vlore që do edhe internet.Ktheva thembrat nga majat dhe shkova në limerin e vlonjateve: tek plazhi i vjetër. Sa fillojnë pishat e Sodës, Paolo, një milanez i dashuruar me Vlorën dhe që ka nja tre vjet këtu, ka marre një restorant me qira, por corona e ka detyruar ta mbyllë dhe shëllihet në diell bashkë me qenin e tij, një race madhoshe qimegjatë që më kujton Leslin, qenin-personazh i filmit me të njëjtin emër i fëmijërisë time.U ula dhe i kërkova një kafe. Mos me fut në telashe, me tha. Jepi se te mbuloj unë, i thashë, më ka marrë malli për një kafe të bërë nga një italian.
U çua dhe pasi erdhi filluam flisnim. Unë për Milanon e tij dhe vitet që kalova, ai për Vlorën time.Herën e fundit isha para një viti në Milano, i thashë, por nuk shkoj me. Nuk është Milanoja me gaz e hare që unë mbaj mend.“Ndërsa unë kam ardhur këtu se ju keni akoma gazin e njerëzve që nuk bëjnë llogarite. Vetëm se ka shumë mushkonja. Keni provuar t’i luftoni”, më pyeti.E kemi provuar, i thashë, por e kemi humbur luftën. Tani po përpiqemi të bashkëjetojmë dhe po ia dalim.“Do mësoheni”, mu përgjigj milanezi. Në fillim është e vështirë, por mësohesh, madje edhe i nënshtrohesh, si fatalitet./dritare.net/