Pasi fitoi një nga sfidat më të rëndësishme, duke mundur virusin Covid-19, Paolo Maldini duhet të vendosë për të ardhmen e tij te Milan. Legjenda kuqezi është në një raport shumë delikat me klubin, sidomos pas largimit të Zvonimir Boban. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, ish-kapiteni milanist, tashmë në rolin e drejtorit teknik kërkon siguri për të ardhmen.
Ai ka në plan një përballje me pronarët e fondit “Elliot” për të kuptuar projektin, që për momentin bie ndesh me idetë e tij, duke nisur nga trajneri. Ralf Rangnick I projektuar si e ardhmja e pankinës së Milanit nuk pëlqehet nga Maldini. Këtë ai e ka thënë hapur. Po ashtu, ish-kapiteni ka një kusht të rëndësishëm për të vazhduar punën te Milan.
Ai nuk do vetëm një rol fasadë, por vendimarrës. E thënë shkurt, Paolo Maldini nuk do të largohet, por për të qëndruar kërkon siguri për veten dhe skuadrën që do të vijë. Duke qëndruar në atë që raporton gazeta sportive më e madhe në Itali, “topi” kalon në këmbët e pronarëve të klubit, që tashmë duhet të vendosin nëse do të plotësojnë ose jo kërkesat e Paolo Maldinit.