Nga Eduard Zaloshnja/

Bazuar në shifrat e përditësuara mbi pandeminë COVID-19 në Worldometers.info (https://www.worldometers.info/coronavirus/#countries), Shqipëria është ndër vendet me më pak vdekje për milionë banorë në Ballkan e Europë (në Ballkan vetëm Bullgaria ka diçka më pak). Por opozitarë të rëndësishëm pretendojnë se, në bazë të “informacioneve konfidenciale” nga agjensitë funerale, u rezulton se vdekjet nga COVID-19 në Shqipëri janë 2 deri në 2.5 herë më shumë seç raportohen zyrtarisht nga Ministria e Shëndetsisë.

Sidoqoftë, edhe sikur ky pretendim i opozitarëve të jetë i vërtetë, Shqipëria do të ishte nën numrin mesatar të vdekjeve për milion banorë ndër shtetet e prekura nga COVID-19 (mesatrja botërore është 25 vdekje për milionë banorë, ndërsa Shqipëria ka zyrtarisht 9 vdekje për milion banorë).

Pavarsisht se sa fakte të tilla kokëforte të prezantohen, opozitarët më të rëndësishëm dhe pasuesit e tyre nuk do ta ndalojnë refrenin e “informacioneve konfidenciale” nga agjensitë funerale, deri sa pandemia të shuhet…

Një tjetër betejë mediatike që po bëjnë opozitarët gjatë pandemisë është ajo rreth testimeve. Ata përmendin papushim moton e OBSH-së “Testoni, testoni, testoni!”. Por OBSH-ja përdor një kriter numerik për të matur efikasitetin e fushatës së testimit; gjegjësisht, raportin teste me rezultat negativ ndaj atyre me rezultat pozitiv.  Dr. Mike Ryan, Drejtor Ekzekutiv për programet e emergjencës në OBSH, deklaroi para ca ditësh që, nëse një vendi i dalin nga testet të paktën 10 raste të painfektuara (negative), për çdo rast të infektuar (pozitiv), fushata e tij e testimit konsiderohet  efekase.

Sipas raportimit më të fundit të ISHP-së, e cila ka të vetmin laborator të certifikuar nga OBSH-ja për kryerjen e testeve për COVID-19, nga fushata e derisotme e testimit kanë rezultuar mesatarisht 9 raste të painfektuara (negative), për çdo rast të infektuar (pozitiv). Pra jemi shumë pranë kufirit të efektivitetit të përcaktuar nga OBSH-ja (10). Për krahasim, Gjermania, e cila shquhet në Europë për numrin e testeve, e ka këtë raport 12 raste të painfektuara (negative), për çdo rast të infektuar (pozitiv). Ndërsa mesatarja botërore është vetëm 7.5.

Por edhe këtu, opozitarët e kanë të gatshme përgjigjen: “Drejtoreshë e ISHP-së (ku kryen testet) është ish-kunata e Ramës dhe kunata aktuale e ministrit Çuçi…” Dhe në fakt, nëse qeveria vërtet do që të manipulojë shifrat rreth COVID-19, e ka shumë më të lehtë të raportojë një numër fiktiv testesh, se sa të fshehë vdekjet nga COVID-19.

Por ka një shifër që është vështirë të manipulohet apo fshihet – numri i të sëmurëve në reanimacion që janë në respirator apo që janë të intubuar. Në spitale punojnë qindra mjekë, infermierë, sanitarë e personel tjetër ndihmës. Dhe në qoftë se në reanimacion ndodhen 30-40 pacientë nga një sëmundje kaq infektive sa COVID-19 (e jo 8 sa raporton aktualisht Ministria e Shëndetsisë), lajmi do të kishte marrë dhenë. Edhe në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, një lajm i tillë nuk do të ishte fshehur dot. Nga ana tjetër, kushdo që ka një familjar të sëmurë shumë rëndë e çon atë në spital. Nuk ka budalla që ta mbajë në shtëpi të dashurin e zemrës, thjesht që të mos përkeqësojë statistikat e qeverisë Rama!. Dhe në fakt, në spitalin infektiv dhe atë të sëmundjeve të mushkrive, numri i të sëmurëve në reanimacion nuk i ka kaluar 12 (ose 4 për milion banorë), as në kulmin e pandemisë aktuale e as në kulmin e epidemisë së gripit sezonal (që u arrit në muajin shkurt). Në Shqipëri jemi shumë, shumë larg skenave me pacientë nëpër koridore me respirator, si në disa spitale të Lombardisë apo Nju Jorkut…

Bazuar në logjikën e mësipërme, treguesi i të sëmurëve rëndë/kritikë (që kanë nevojë për respirator/intubim) për milion banorë është më i pakundërshtueshmi për t’u krahasuar me vende të tjera të Ballkanit e të botës.

Aktualisht, listën e vendeve me të sëmurë në gjendje të rëndë/kritike nga COVID-19 e kryeson Spanja, që ka sot 165 pacientë në respirator/intubim për milion banorë. Në vendin e 10-të ndodhet Italia, me 36 pacientë në respirator/intubim për milion banorë (shtetet mikroskopike si San Marino, Vatikani etj. nuk janë përfshirë në këtë renditje).

Në Ballkan, listën e vendeve me të sëmurë rëndë/kritikë nga COVID-19 e kryeson Rumania, që ka sot 12.5 pacientë në respirator/intubim për milion banorë. Shqipëria ka aktualisht shkallën më të ulët të sëmundshmërisë akute në Ballkan (përveç Bosnjës), me 2.7 pacientë në respirator/intubim për milion banorë (shihni tabelën shoqëruese).