Pandemia me koronavirus mund të vrasë të paktën 300,000 afrikanë dhe rrezikon të përballë me varfëri ekstreme 29 milionë të tjerë, ka thënë Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Afrikën, teksa ka bërë thirrje për ndihmë në vlerë të 100 miliardë dollarëve për të shpëtuar kontinentin.
Deri më tani, 54 shtetet e Afrikës kanë raportuar më pak se 20,000 raste të prekura me sëmundjen Covid-19 që shkakton koronavirusi.
Mirëpo Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se në tre deri në gjashtë muaj, Afrika do të mund të përballet me 10 milionë të infektuar.
“Për të mbrojtur përparimin tonë të përbashkët, nevojitet një rrjet i burimeve shëndetësore dhe shoqërore në vlerë të 100 miliardë dollarëvë”, është thënë në raportin e kësaj Agjencie.
Agjencia ka modeluar katër skenare, të bazuara në nivelin e masave parandaluese të virusit, të prezantuara nga Qeveritë afrikane.
Në rast të mungesës së intervenimit në studim është thënë se 1.2 miliard afrikanë do të infektohen, derisa 3.3 milionë të tjerë do të vdesin këtë vit.
Afrika llogaritet se ka 1.3 miliard banorë. Në gjithë botën nga koronavirusi janë infektuar mbi 2 milionë persona.