I ashtuquajturi ‘pacienti 1’ me koronavirus në Itali, Mattia është bërë baba për herë të parë. Bashkëshortja e tij Valentina ka sjellë në jetën vajzën e tyre, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Giulia.
Mattia, ishte personi i parë që u shtrua në spital për t’u kuruar nga koronavirusi që më 19 shkurt, dhe gjatë kohës që ishte nën kujdesin mjekësor, mori vesh edhe lajmin se kishte humbur babain për shkak të pandemisë. E infektuar kishte rezultuar edhe gruaja e tij, Valentina, edhe pse në atë kohë ishte shtatzënë me bijën e tyre.
Pasi ka dalë nga spitali, Mattia ka përcjellë një mesazh për të gjithë italianët, duke treguar historinë dhe përjetimet e tij.
“Është e vështirë që të tregoj çfarë kam përjetuar. Unë kam qenë me fat por tani nuk ka mjete, mjekë dhe materiale për t’i shëruar të gjithë. Kërkoj nga të gjitha mediat të respektojnë privatësinë time dhe familjes sime sepse me të vërtetë duam të harrojmë për këtë përvojë të keqe dhe kthehemi në normalitetin tonë,“-tha Mattia.
Mattia ose ndryshe ‘pacienti 1’ u infektua pasi kishte takuar një mik të sapokthyer nga Kina, ndërkohë që pa e ditur se ishte infektuar kishte përçuar koronavirusin edhe tek personat me të cilët kalonte ditët. Nga ai u infektuan babai dhe gruaja shtatzënë.