Burime pranë familjes së Lionel Messi mohojnë thashethemet e përhapura nga stacioni televiziv argjentinas “Tnt Sports”, se ishte kapiteni i Barcelonës, ai që pagoi garancinë prej 1.6 milionë dollarësh (përmes transferimit bankar nga Barcelona), për ta nxjerrë Ronaldinhon nga burgu. I njëjti burim ka hedhur poshtë edhe informacionin e ditëve të fundit, se Messi kishte bërë gati 4 milionë dollarë dhe një grup avokatësh, për t’i vënë në dispozicion të ish-kolegut dhe mentorit të tij te Barcelona.
Mësohet se numri 10 Blaugrana është shumë i keqardhur për atë që i ndodhi ish-partnerit, por nuk ndërhyri për asnjë çast në çështjen e tij gjyqësore. Fakti është se Ronaldinho, pas kërkesës së tij për arrest shtëpie në Asuncion, ku u mbajt në paraburgim, u refuzua tri herë për ndryshimin e masës së sigurisë. Vetëm së fundi arriti të dilte nga burgu ku ishte, pas vendimit të ndërmjetëm të gjyqtarit Giustavo Amarilla, i cili po shqyrton falsifikimin e pasaportave nga fituesi i “Topit të Artë në vitin 2005, bashkë me vëllain.
Tashmë, Ronaldinho, i liruar nga burgu, është vendosur në arrest shtëpiak. Këtë masë ziolimi po e përmbush në një hotel me katër yje, “Palmaroga”, me 107 dhoma, që ndodhet në qendër të Asuncion, 3.3 km larg burgut ku qëndroi deri dje me të vëllain. Paratë e depozituara si garanci shërbejnë për të siguruar që dy brazilianët të mos largohen nga Paraguaji. Nëse ata arrijnë ta bëjnë këtë, paratë do të konfiskohen menjëherë.