Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se po punohet për të vendosur mjek në çdo biznes me risk.

Në një intervistë televizive, i pyetur nëse do të përfshihen mjekët e familjes në sistemin e gjurmimit dhe të testimit të rasteve me COVID-19, tani që do të bëhet hapja, Rama tha se, “mjekët e familjes nuk bëjnë testime, por janë shumë të rëndësishëm si hallka më fundore e sistemit që është më pranë njerëzve. Me mjekët e familjes skuadra që punon për testimet është në kontakt të vazhdueshëm”.

Ndërkohë, shtoi Rama, “po punojmë për të vendosur një bluzë të bardhë tek të gjitha bizneset me risk. Pra fasoneritë, dhe jo vetëm fasoneritë, por të gjitha bizneset më me risk do të kemi një bluzë të bardhë aty që do të kontrollojë të gjitha kushtet e sigurisë”.

“Kam vënë re me keqardhje që fasonët kërkojnë disa liri që nuk do t’i kenë në raport me kushtet e sigurisë. Nuk duan të dezinfektojnë dy herë vendin e punës. Si mund të thonë që ne nuk duam ta dezinfektojmë dy herë vendin e punës, kur aty punohet me turne dhe turnet ndërrohen. Dhe pas ndërrimit të turnit ai që lë tavolinën dhe zëvendësohet nga dikush tjetër patjetër që duhet të lërë pas dhe një proces dezinfektimi. Apo si mund të thonë që duam t’i mbushim autobusët plot e për plot, ndërkohë që ka kritere. Për të gjitha këto do të kemi kontrolle shumë të forta”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “pensionet po i çojmë nëpër shtëpia. Dhe për aplikimet e pensioneve procesi bëhet përmes E-Albania dhe nuk ka problem fare. Për këtë që përdor facebook s’ka asnjë problem”.

I pyetur se çfarë do të bëhet me ata që duan të kthehen në Shqipëri por që kanë fëmijë, të vegjël, Rama tha se, “për ata që janë të sëmurë dhe kanë fëmijë të vegjël e kemi bërë këtë përjashtim. Nuk kemi lënë në karantinë prindër me fëmijë shumë të vegjël. Prindërit që janë me fëmijë shumë të vegjël i kemi parë janë parë me sy tjetër.

I pyetur në lidhje me punonjësit sezonalë që duan të shkojnë në Greqi, Rama tha se, “me kryeministrin e Greqisë kemi diskutuar për këtë temë që është me interes reciprok dhe brenda mesit të majit kur fillon dhe kjo lëvizje do të kemi një konkluzion dhe besoj se do të kemi një marrëveshje specifike sesi do të bëhet lëvizja e këtyre punonjësve, natyrisht që asnjë prej tyre të mos humbasë mundësinë e punësimit sezonal”

I pyetur në lidhje me punonjësit e administratës që nëse do të duhet të punojnë të dy prindërit, me kë do të qëndrojë fëmija, Rama tha se, “kemi pasur mirëkuptim maksimal për këtë dhe ndërkohë kemi filluar të punojmë për një reformë sepse kjo periudha e karantinës i ka mësuar dhe të tjerëve atë që në fakt unë e kam ditur, që me më pak njerëz bëhet më shumë punë. Nga ana tjetër duke përdorur sistemet dixhitale ne mund të krijojmë një regjim tjetër pune në administrate, ku një pjesë e administratës mund të punojnë edhe nga shtëpia dhe kështu të mos enden kafeneve në orar të punës dhe puna të jetë shumë më e monitorueshme”.

“Në këtë situatë po mësojmë disa gjëra dhe kemi një reformë shumë të bukur për të bërë tani në arsim. Duke parë që 98% e nxënësve ndoqën dhe po ndjekin mësimet online dhe një pjesë e madhe e zonave ku nuk mendonim paraprakisht, ka ndodhur që fëmijët kanë ndjekur mësimet online përmes telefonave. Kështu me online do të bëjmë një revolucion në arsim duke i dhënë fund klasave kolektive, duke krijuar klasa kombëtare, duke vendosur tek TVSH një stacion të vetëm totalisht në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve, duke vendosur mësuesit më të mirë për të dhënë mësim në nivel kombëtar. Është një proces shumë i bukur që lindi si rezultat i kësaj situate”, tha Rama.

Dhe po ashtu, tha Kryeministri, “do të ndërtojmë dhe një sistem të tërë bluzash të bardha për Maturën Shtetërore që të garantojmë siguri maksimale në procesin e Maturës Shtetërore”.