Deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 pezullohen afatet për kryerjen e veprimeve procedurale të përmbaruesit gjyqësor shtetëror apo privat, ndërmjetësit dhe administratorit në procedurat e falimentimit.
Kur afatet për kryerjen e veprimeve procedurale sipas parashikimit të legjislacionit në fuqi fillojnë gjatë periudhës së pezullimit, ato shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë.
Qeveria miratoi Aktin Normati i cili synon mbrojtjen e interesave të ligjshme të shtetasve që mund të cenohen për shkak të veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror dhe privat, ndërmjetësimit apo administrimit në procedurat e falimentimit, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.
Akti Normativ është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi menjëherë.
Rregullat e përcaktuara nuk zbatohen në rastet për ekzekutimin e titujve ekzekutivë që rrjedhin nga çështje familjare, me objekt kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë, birësimin, ushtrimin epërgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim, si dhe për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt urdhrat e mbrojtjes dhe urdhrat emenjëhershëm të mbrojtjes.
Përjashtim bëjnë edhe rastet për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt masat e sigurimit të padisë për çështje administrative dhe për çështjet civile, në të cilat gjykata ka dhënë vendim për sigurimin e padisë ose vendim me ekzekutim të përkohshëm, kur nga vonesa e ekzekutimit ose e kryerjes së veprimeve procedurale bëhet i pamundur ekzekutimi i këtyre titujve ekzekutivë, pas përfundimit të gjendjes së epidemisë apo nëse është e domosdoshme shmangia e dëmtimit të masës së falimentimit;
Sipas Aktit Normativ, përjashtohen edhe rastet për ndërmjetësimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën penale, kur gjatë hetimit vlerësohet si e nevojshme për mbrojtjen e interesave të të miturit.
Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19, në funksion të zbatimit të rregullave nënligjore të nxjerra nga organet përgjegjëse shtetërore, organet e shërbimit përmbarimor shtetëror dhe privat, të ndërmjetësve dhe administratorëve të falimentimit, në të gjitha rastet, marrin masa organizative të posaçme për të shmangur grumbullimet, kontaktet e ngushta ndërmjet individëve, si dhe praninë e publikut në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të përmbaruesit gjyqësor, ndërmjetësit dhe administratorit të falimentimit.