Nga Ylli Pata
Numri i rritur i të infektuarve me Covid 19 në Shkodër rriti shqetësimet, pas një lehtësimi që u pësua në publik për disa ditë, ku u regjistruan shifra optimiste në frontin e luftës me pandeminë. Sipas të dhënave që vijnë nga Shkodra, 13 personat e regjistruar si të rinj të infektuar me koronavirus vijnë kryesisht nga dy vatrat e identifikuara si zona nga ku virusi u përhap fillimisht në këtë qark të vendit. Që megjithatë po zhvillohet një hetim i zgjeruar. Sipas një specialisti të njohur të shëndetit publik, i cili ka eksperiencë të gjatë në qarkun e Shkodrës, e tani e ofron ekspertizën e tij për një organizatë ndërkombëtare, shifrat që vijnë nga Shkodra, edhe pse janë shqetësuese, trendi i tyre nuk del jashtë shtigjeve nga ku pritjet një përhapje e Covid 19.
Ndërkaq, vendimi i kryebashkiakes Voltana Ademi për të mbyllur e disiplinuar disa nga tregjet në qytet ka ngritur dyshimin për masat e marra me vonesë në këtë drejtim, ku pyetja më e thjeshtë që vjen spontanisht është: Përse këto masa nuk u morën më parë. Pikërisht atëherë kur masat e rrepta po zbatoheshin në gjithë Shqipërinë, u vunë re disa pamje në Shkodër ku njerëzit dilnin shëtitje lirshëm në bulevard.
Shëtitje, që duhet thënë që edhe pse në Shkodër mund të ishte më masivisht, nuk është se ishte e vetmja, pasi pamje të tilla u panë edhe në bregdetin e Durrësit, edhe në rrugët e Tiranës, liqenin artificial, apo grumbullimet e frikshme në tregje e radhë bankash. Por fakt është se ajo që ndodhi në Shkodër u kthye në politikë, ku një fenomen kolektiv, që është pabindja apo mos kuptimi i situatës nga mjaft njerëz, u tentua të përkthehet në qëndrim politik. Qëndrim që u rimor nga Voltana Ademi, e cila sulmoi qeverinë, kur në fakt do të ishte ajo që nuk duhet të fliste, edhe nëse kishte kritika, por të vepronte pasi është e zonja e punëve në Shkodër.
Kryebashkiakja kritikoi për dizifektimin, kur duhet të jetë ajo që duhet ta kryejë ajo, kritikon për ndihmat, kur është bashkia që duhet t’i shpërndajë pasi ka listat e përpikta të qytetarëve në nevojë, etj etj. Në lojën e Voltana Ademit ra edhe qeveria që shkarkoi prefektin, duke i dhënë një armë përfaqësueses së vetme të PD-së në një pushtet në Shqipëri. Ndoshta ishte një lëvizje pikërisht për ta faktorizuar Ademin, kur në fakt sot Shkodra ka nevojë për shumëҫka tjetër. Në radhë të parë për të sqaruar një situatë që ka shqetësuar njerëzit në atë qytet, ku janë të terrorizuar pas shifrave në rritje.
Spitali i Shkodrës, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, po përballon një fluks njerëzish që paraqiten si të dyshuar me Covid 19, kur protokolli në të gjithë vendin është që pacienti nuk duhet të paraqitet në spital, por të telefonojë 127, pra qendrën kombëtare të urgjencës, e cila bën shpërndarjen e rasteve në strukturat e posaҫme të ngritura për të përballuar pandeminë e koronavirusit. Mjekë në spitalin e Shkodrës thonë se kjo situatë ku paraqiten njerëz që nuk tregojnë realisht simptomat, madje edhe gënjejnë duke nxjerrë simptoma të tjera, ka sjellë një panik tek personeli, i cili nuk është i përgatitur apo i pajisur për të përballuar Covid 19.
Ndoshta një komisarim i Shkodrës nga qeveria qendrore, do të ishte më efektiv, që të ishte jo nga Ministria e Brendshme, por nga ajo e Shëndetësisë. Më shumë se masa represive, ka nevojë për ekspertizë e akte adekuate në këtë gjendje që mund të kthehet në një eksplozion i rrezikshëm pikërisht atëherë kur nuk duhet… TemA