Nga Artur Ajazi – Lulzim Basha kryetari de facto i Partisë Demokratike (dhe jo më i ish-opozitës) ka prezantuar dhe i është rikthyer sërish “planit me 5 pika për tejkalimin e krizës”.Ai ka ngulur këmbë sërish se “plani i detajuar e nxjerr vendin nga emergjenca kombëtare”, duke deklaruar se “vetëm unë dhe PD, nxjerrim vendin ngakjo krizë virusale, rimëkëmbim ekonominë, testojmë në masë shqiptarët, dhe pergatitemi për të ardhmen”.
Pesë pikat e Lulzimit, janë as më shumë dhe as më pak, paragrafet e para të udhëzimeve të qeverisë dhe kryeministrit Rama, duke e zhvlerësuar gjithçka propozon sot kryetari ish-opozitës. Plani Lulzimit, mbetet një tjetër dështim edhe pse ai përpiqet ti paraqesë “5 pikat” e tij si risi, si shpikje e re, që “nxjerre vendin nga emergjenca”.
Njeriu që kurrë nuk u angazhua, që kurrë nuk u afrua dhe nuk u përgjigj në asnjë moment ftesave të kryeministrit , sot del dhe bën “heroin”, dhe njeriun që vjen në “tapet” me plane 5 pikëshe.Dhe në fakt plani (dhe planet) e Lulzimit vijnë pas një kthese të madhe pozitive, që ka marrë në fakt kriza e cila nisi dhe po vazhdon të menaxhohet mrekullisht nga qeveria dhe kryeministri Rama.
Planet e Lulzimit, në fakt janë direktivat e Doktorit, dhe serviren si “zgjidhja e vetme për vendin dhe shqiptarët”. Ato që propozon Lulzimi, janë të vjetëruara, të grisura dhe të arnuara me dhjetra herë nga Doktori dhe “ekipi i specialistëve” që ai rreshton para kamerave, gjithmonë kur raportohet për persona të shëruar, për ndihma nga bota, për grande financiare në ndihmë të kësaj situate.Duke rreshtuar “doktorët” e Doktorit dhe ndjellakeqët e SHQUP-it, në fakt Lulzimi kërkon të thotë se “ja ne opozita kemi platformën tonë, por Rama nuk na dëgjon”. Dhe mirë e bën, sepse në rast se Edi Rama do të dëgjonte Lulzimin dhe “doktorët” e Doktorit, sot vendi do të ishte në kaos, dhe do të kishte 50 herë më shumë të infektuar dhe viktima. Projektet dhe planet e Lulzimit (të miratuara nga Doktori) kërkojnë të zhvendosin vëmëndjen e specialistëve dhe strukturave të Ministrisë Shëndetsisë drejt një të panjohure, e cila do ta rrokulliste vendin drejt kaosit.
Sikur Lulzim Basha të kishte “një plan me 5 pika” për ringritjen e ish-opozitës, apo dhe ringritjen e partisë tij, nuk do të ishte keq, por plan për “daljen nga emergjenca” sikur nuk shkon. Kjo pasi Lulzim Basha duhet të kishte dhënë prova më parë tek partia e tij, dhe jo para Doktorit, duhej të kishte riorganizuar dhe nxjerrë nga kriza më parë PD, dhe jo të mendojë për “të ardhmen e vendit”.
Për të ardhmen e vendit dhe shqiptarëve, ka kush mendon, dhe deri sot, mendoj se e ka bërë mrekullisht atë gjë, jo me plane në hava, por me konsulencën e specialistëve më të mirë të fushave përkatëse. Ruaje “planin me 5 pika” Lulzim, ruaje se nuk i dihet, ndoshta një ditë do të duhet ti ndryshosh datën dhe vitin, për ta përdorur sërish në fushata “emergjente” edhe brënda PD.