Nga Sabina Veizaj/

-“Nuk di të vishem”-më thotë.

Është dita e 36 e izolimit të saj në shtëpi, pa bërë çap as tek hapësira e përbashkët e pallatit për të pastruar rrëzëderën.

Është 82 vjeç, por mbahet shkëlqyer sepse kujdeset shumë për veten.

Dhe kur thotë që nuk di të vishet, nënkupton një justifikim për të mos dalë, pasi një mbrëmje më parë ka ndjekur në televizor doktor Pëllymb Piperon nga i cili kuptoi se nuk ishte shumë dakord me daljen e pensionistëve.

Në të njëjtën kohë “nuk di të vishem”, nënkupton që ka harruar në këto 40 ditë brenda në shtëpi se çfarë ka në dollap.

Jashtë është një qetësi e çuditshme dhe bart frymën e përunjur të të moshuarve, të cilët duken shumë të përpiktë në zbatimin e rregullave dhe në sy kanë një emocion çlirimi të mallit për lirini dhe natyrën.

“Na u lodhën këmbët. Kemi harruar të ecim. Gjithë ditën në shtëpi, sa në krevat, në kuzhinë, e kështu gjithë ditën të gjithë muajin”- thonë një çift të moshuarish që kanë bërë një copë shetitje në lagje dhe pasi janë lodhur kanë gjetur një palë shkallë për tu ulur.

Disa syresh kanë maska e dorashka, të tjerë jo, por janë në distancën e duhur sipas rregullave të urdhëruara. I shikon që kanë dalë vetëm, ose maksimumi dy persona.

Mandej është një pensionist nga Fieri, por që ende punon. Ai ka ardhur tek e bija një muaj më parë dhe siç thotë “më kanë ngujuar në Tiranë. Ky është burg. Është e padrejtë. Të dija që do ti falte gjobat, kisha ikur prej kohësh në shtëpinë time. E varrosi ekonominë dhe i luajti njerëzit. Nuk është shtet ky” dhe ikën i inatosur i fshehur nën maskë duke bërtitur se nuk ka frikë nga virusi, por i ka prishur punë.

Kur del nga lagjja në rrugë kryesore të moshuarit shtohen, por sërish duke respektuar rregullat.

Është një tablo surreale, sikur po shikon në kinema 4D një film fantashkencor.

Një qytet vetëm me të moshuar dhe më kujtohen shkrimet ku ekspertë të ndryshëm apo organizata ndërkombëtare parashikojnë se Shqipëria do të mpaket dhe në të do të mbiotërojnë pleqtë.

E kam përballë këtë pamje të brishtë. Ata janë si fëmijë që ecin për herë të parë në një rrugë të madhe dhe në vend të prindërve i kontrollojnë policët.

Më tutje bashkia ka vendosur një makinetë me kafe dhe shishe me ujë. Aty janë mbledhur disa syresh për të marrë kafenë në dorë.

“Kërkon ajo makina lekë të holla, por nuk paskemi të holla dhe donim të merrnim kafe, meqenëse dolëm pas kaq kohësh”- më drejtohet e një moshuar që ka shpënë burrin të shohë ç’ndodhë me makinetën e kafesë tek pret në radhë edhe dy a tre bashkëmoshatarë të vet.

Takoj disa të njohur, të moshuar dhe i pyes se si ndjehen: “po shohim botë me sy, diell, po shpimë këmbët se mbetëm sa në krevar, aq në divan. Jemi të kënaqur që dolëm dhe është qetësi, nuk ka makina.” Tek i pyes nëse janë mërzitur këtë muaj brenda, një prej tyre më shpjegon “nga një anë është mërzitja, nga tjetra vdekja. Kemi zgjedhur mërzitjen më mirë. Gjithë jeta është zgjidhje oportune”

Mandej në një lulishte lagjeje janë ulur nëpër stola dyshe-treshe të moshuarit.

Është një ndjesi e përzier: shok, paqe, qetësi e çuditshme dhe realitet i pabesueshëm.

Por të gjithë që i pyet thonë se nuk e kanë shitur lirinë për të qenë ushtar, por i janë bindur dashurisë për jetën.

Në lulishten e Stadiumit Dinamo përveç të të moshuarve shoh prezencë të shtuar të policëve që me shumë takt iu qasen për tiu kërkuar që të ngrihen sepse nuk lejohet të qëndrojnë, duhet vetëm të shetisin: për të mirë të tyre.

Një pensioniste, më e re në moshë rebelohet, por me edukatë duke iu kërkuar llogari policëve se urdhrat duhet të pasohen nga masat. “ Përderisa qeveria na lejoi të dilnim sot, duhet të ksihte dezinfektuar stolat. Ne jemi të moshuar, nuk mund të ecip pafund, duam të shijojmë pak diell pas një muaji të ngujuar dhe bashkëshorti im është i sëmurë nuk mund të qendrojë më këmbë”.

Iu afrohem. Gjatë bisedës ajo më rrëfen se ka frikë shumë nga virusi, kurse ai jo.

Ata kanë më shumë se 40 ditë brenda dhe gruaja më tregon se këtë kohë e ka kaluar me punë shtëpie dhe internet.

Tek e pyes të shoqin nëse e ka ndihmuar, më thotë “i kam prishur punë, jo rregullur” dhe qeshim.

Gjatë bisedës mësoj se quhet Halil Stana dhe është mjek epidemiolog në pension prej disa vitesh.

“Ka kaluar paralizë të rëndë dhe është shumë i dëshpëruar që në këto momente nuk është atje në vijë të parë me kolegët. I qan zemra.” – tregon e shoqja.

Vetë doktor Stana më thotë se nëse do të ishte mirë me shëndet, do të kishte qenë i pari që do ti ishte përgjigjur thirrjes.

Doktor Halit Stana ka qenë Shef i shërbimit të sëmundjeve ngjitëse të Tiranës për disa kohë.

Ai thotë se nuk ka frikë dhe askush nuk duhet të ketë frikë, por thjesht kujdes dhe të zbatohen rregullat.

Doktor Stana parashikon që situata e virusit do të zbutet shumë me rritjen e temperaturave, megjithëse thotë se virusi mund të shfaqet sërish në vjeshtë.

Ai mendon se në këtë histori higjena është kryesore.

Doktori epidemiolog mendon se situata është përballuar mirë.

Tek e pyes pse në radhët e të intubuarëve ka vetëm një sukses?. Ai shpjegon se statistikat edhe në botë tregojnë që në 32 të intubuar, vetëm njëri del me sukses.

Megjithatë sqaron ai, statistikat do të analizohen në fund, kur e gjitha të ketë përfunduar.

Përshëndetem me doktorin dhe vijoj shetitjen në qytetin e të moshuarëve.

Disa syresh i sheh tek ecin, të tjerë ndalojnë e përshëndeten në distancë me njëri-tjetrin, dikush afrohet se harron, tjetri i thotë nuk duhet të takohemi, dikush tjetër është ulur në stol anës Lanës dhe u bën foto pemëve.

Të gjithë kanë një humor individual për t’iu qasur lirisë dhe natyrës.

Mandej asistoj në një takim brezash; një çift që kanë dalë në pension një vit e gjysmë më parë takohen me mësuesen e tyre kujdesare të gjimnazit pas shumë vitesh. Arrijnë ta njohin njëri-tjetrin përtej maskave dhe shkëmbimi i emocioneve është i rrallë.

“Keni qenë të dy të shkëlqyet në mësime dhe shembullorë në sjellje”- u thotë mësuesja.

Kurse ata e falenderojnë për vlerat që i ka përcjellë ajo dhe brezi i saj.

“Si ju nuk vjen më në këto breza. Kujtoj kur u ula një herë në bankë pa hequr pardesynë dhe ju mu afruat ndadalë dhe më thatë tek veshi, pse mbi pardesy ulet?. Kam shumë kujtime, por do takohemi sapo të ikë ky i mallkuar virus”- i tha nxënsja e hershme.

Ora policore po afrohej dhe në rrugë u avit me uturimë një tank ushtrie.

Një pensioniste duke parë orën për të qenë në shtëpi brenda orës 11:00
Por edhe më herët, përpos të tjerash, vije re tek pothuajse të gjithë pensionistët një tik “nervor”; ecnin dhe shihnin orën, edhe pse donin të rrini sa më gjatë ndan diellit.

Ajo ecën në mes të rrugës dhe kënaqet “Më pëlqen: ajër i pastër,thonë se është pastruar , qetësi, pa makina. Gjithë rruga për ne. Po nesër do na lënë të dalim?”…