Homo Narcissus, jo Homo sapiens. Ky është emërtimi i ri, dhe më pak fisnik, që meritojmë. E shkruan Nicholas P. Money, biolog nga Miami Universiteti në Ohio, në The Selfish Monkey (Majmuni egoist). Sepse qenia njerëzore duhet të zhduket (Vrasësi). Duke gjurmuar historinë evolucionare të njerëzimit, duke u nisur nga origjina e largët e specieve tona, libri gjurmon drejtimin në të cilin po shkon e ardhmja: Toka do të mbinxehet dhe një tufë qeniesh njerëzore do të sherrosen për të rrëmbyer burime dhe ujë të ëmbël.

Më të pasurit do të kenë mundësinë për të emigruar drejt poleve, pjesa tjetër do të detyrohet të jetojë në qytete të zymta nëntokësore, të mbrojtura nga nxehtësia e Diellit, deri në zhdukjen e pashmangshme. Një rrugëtim, në të cilin tani ka hyrë koronavirusi. Një pandemi që, siç thotë Money për La Lettura, zbulon më shumë se kurrë dobësinë tonë: “Ne mendojmë se jemi të veçantë, vjen ky virus mikroskopik dhe ndryshon jetën tonë brenda disa javësh”. Fajin për gjithë këtë? E kemi vetë. Dhe egoizmi ynë i thellë, fiziologjik. Madje, madje, vetë narcizizmi ynë.

Profesor Money, vërtet nuk e meritojmë emërtimin “Homo sapiens”?

“Do të thotë njeri i mençur, inteligjent. Por nëse e analizojmë sjelljen njerëzore në mënyrë objektive është mjaft e qartë që meritojmë një emër tjetër: Homo narcissus, majmun egoist, sepse sillemi në një mënyrë jashtëzakonisht egocentrike. Ne gjithashtu mund të jemi të mençur, por sigurisht jo aq sa të na ndalojmë shkatërrimin e pjesës tjetër të natyrës. Evolucioni na ka bërë tët tillë: lakmia na çoi drejt suksesit. Ne kemi qenë në gjendje të zhvillojmë teknologji të pakrahasueshme. Kjo na lejoi të fitonim fuqi mbi natyrën dhe nxiti idenë se jemi mbretërit dhe mbretëreshat e xhunglës. Por ne kemi kompromentuar botën natyrore, duke shkatërruar kështu shtëpinë tonë në mënyra katastrofale. Ne do ta paguajmë këtë me zhdukjen tonë”.

Ju shkruani se koncepti i një universi të bërë posaçërisht për ne, zbulon arrogancën tonë të pabesueshme. Si mund ta kapërcejmë një ide kaq të thellë?

«Eshtë pikërisht këtu që pikëpamja objektive e shkencës hyn në lojë. Ne duhet ta shohim veten pa paragjykime dhe t’i konsiderojmë sjelljet tona, në të njëjtën mënyrë me ato të kafshëve të tjera. Le ta themi sinqerisht, ne e mbivlerësojmë veten. Ne jemi viktimat e një arsyetimi rrethor: ne themi se jemi kaq inteligjentë dhe të mençur sepse jemi të vetmit që kemi zhvilluar, për shembull, sistemet politike ose besimet fetare. Por ne jemi gjithashtu të vetmit që i kushtojmë rëndësi politikës dhe fesë. A jemi më mirë sesa një ketër në pyll? Ndoshta fakti që ajo kafshë është e aftë të ecë nëpër degë që varen kokë poshtë, është po aq i admirueshëm sa çdo veprimtari tjetër njerëzore. Le të përpiqemi të shohim veten për atë që jemi vërtet: pjesë e natyrës, të rrethuar nga natyra, të zhytur në natyrë”.

Megjithatë, edhe shkenca na bën narcizistë: i jep shumë meritë njeriut dhe aftësive të tij intelektuale.

«Kjo është tragjedia e gjendjes njerëzore: shkenca na ka dhënë një aftësi të pashembullt për të kuptuar natyrën dhe kjo është një nga arsyet pse e kemi quajtur vetë Homo sapiens. Për më tepër, shkenca na ka lejuar të zhvillojmë teknologji, por në këtë mënyrë, duke modifikuar mjedisin, ne kemi dëmtuar një mekanizëm delikat. Ka një lloj yin dhe yang në gjithë këtë: shkenca na ka bërë të fuqishëm, por në të njëjtën kohë na ka dënuar me zhdukje. Shkenca është një thikë me dy presa: ajo na bëri të jashtëzakonshëm, por ajo na çoi në shkatërrim”.

A jemi aq narcizistë sa nuk ndjehemi superiorë vetëm ndaj kafshëve të tjera, por vendosim edhe hierarki brenda specieve tona, midis grupeve etnike dhe midis kombeve. A janë racizmi dhe nacionalizmi pasoja të narcizizmit tonë fiziologjik?

“Racizmi është mbase shprehja supreme e narcizizmit, sepse paraqet strehën përfundimtare për ata që nuk kanë ndjenjë vetëvlerësimi. Racizmi, nacionalizmi, por edhe seksizmi, janë të gjitha shprehje të natyrës sonë narciste”.

Përmes një hiperbole, në librin tuaj ju thoni që kontributi maksimal që një individ mund të japë për të kufizuar dëmin në mjedis, është të jetë i vdekur. Sugjerimi i dytë është të mos keni fëmijë natyralë. Ndonjë këshillë më të përballueshme keni?

“I imi nuk është një libër për ndihmë vetiake. Sidoqoftë, unë mendoj se ka strategji për të ndryshuar marrëdhëniet me natyrën dhe të bëhemi më të sjellshëm me speciet jo njerëzore. Ne kemi qenë të tmerrshëm në keqtrajtimin e shkaktuar ndaj specieve të tjera të ndjeshme. Përkundrazi, duhet të pranojmë që kafshët e tjera nuk kanë përgjegjësi për shkatërrimin e mjedisit. Ne mund të përparonim duke zhvilluar një ndjenjë mirësie gati fetare kundrejt natyrës, dhe duke u përpjekur të bëhemi kujdestarë më të mirë sesa pjesa tjetër e mbretërisë së kafshëve”.

Një formë jete që zhvillon një teknologji të aftë të shkatërrojë vetveten, shumë shpejt do të shkatërrohet vetë. Ne e kemi bërë: ne mendojmë për armë bërthamore ose biologjike. A jemi të destinuar për zhdukje, pashmangshmërisht?

“Kërcënimi më i madh për njerëzimin vjen nga ndryshimet klimatike. Tashmë kemi lëshuar një trilion tonë më shumë dioksid karboni në atmosferë, duke djegur lëndë djegëse fosile. Tashmë jemi rrugës drejt një planeti shumë më të ngrohtë, me oqeane më shumë acide. Tashmë jemi duke vrapuar drejt zhdukjes dhe kur vërtet të jemi zhdukur, askujt nuk do t’i mungojmë. Planeti ynë, nga ana tjetër, tashmë ka kaluar nëpër disa cikle të zhdukjes gjatë historisë gjeologjike. Dielli, burimi kryesor i energjisë në botën tonë, është në gjysmën e rrugës së ciklit të tij të jetës. Kjo do të thotë që nëse dikush mund të kthehej këtu në Tokë pas një miliard vjetësh, ai me siguri do të gjente jetën biologjike, por asnjë qenie njerëzore”.

A mundet emergjenca e koronavirusit që po nedhim në një shkallë globale, të paraqesë një paralajmërim dhe gjithashtu një mundësi për ndryshime të thella?

“Pandemia ka zbuluar plotësisht dobësinë tonë. Në Shtetet e Bashkuara, pro lind një respekt më i madh për shkencën, njerëzit janë më dyshues ndaj lajmeve të rreme dhe duan të dinë se çfarë kanë për të thënë, biologët dhe epidemitë. Në këtë kuptim, faza që ne po përjetojmë paraqet një mundësi për të mësuar, por askush nuk do të dëshironte të mësonte në këtë mënyrë”.

Përvoja e pandemisë duhet të na bëjë edhe më të ndjeshëm ndaj rreziqeve të së ardhmes. Sipas disa ekspertëve, tashmë ekzistonin shenja që mund të na bënin të mendonim, për përhapjen globale të një virusi të ri. Pse nuk i kapëm?

“Ekspertët e sëmundjeve infektive prej kohësh na kanë paralajmëruar për përhapjen e mundshme të një pandemie virale, në një shkallë globale. Ata gjithashtu theksuan rreziqet në rritje që lidhen me kapjen e kafshëve të egra në habitatet e tyre natyrore, sepse viruset që ata sjellin nga pyjet gjithashtu mund të barten te njerëzit. Sidoqoftë, ka shumë arsye pse ne nuk i kemi kushtuar vëmendje. Një nga arsyet është tendenca jonë për t’u përqëndruar në problemet e momentit, dhe jo në të ardhmen. Kjo gjithashtu shpjegon pse shumica e njerëzve kanë injoruar prej kohësh ndryshimin e klimës, që përfaqëson kërcënim global për njerëzimin, madje edhe më të madh se një sëmundje pandemike”.

A doni të dërgoni një mesazh për njerëzimin e së ardhmes?

“Libri im mund të shihet si një mesazh për të huajt që do të vizitojnë Tokën pasi të kemi ikur. Eshtë shkruar nga një njeri si një lloj nekrologjie e parashikuar për speciet e tij dhe shpjegon kush ishim dhe pse e çuam veten drejt zhdukjes”. (La Lettura – Bota.al)

*Nicholas P. Money (1962) është profesor i biologjisë dhe drejtor i Programit Perëndimor në Miami University në Ohio. Ai është ekspert në mikologji dhe autor i disa librave. Me studimet e tij ai filloi përdorimin e mikroskopisë me shpejtësi të lartë për të kuptuar mekanizmat e përdorur nga kërpudhat, për të përhapur sporet e tyre në ajër.

*Në librin e tij “Majmuni egoist”, i botuar në anglisht verën e kaluar, ai rindërton kartën tonë të identitetit biologjik: si kemi evoluar, si jemi përhapur, si kemi lindur dhe vdesim. Por ai paralajmëron gjithashtu se qenia njerëzore është mbivlerësuar dhe se njeriu po e dënon veten me zhdukje. (BOTA.AL)