Sot gjatë ditës pritet të finalizohet në Kosovë marrëveshja e koalicionit të ri qeverisës, me në krye Avdullah Hotin, të nominuar nga Lidhja Demokratike (LDK).
Nga sa pohon gazeta Express, marrëveshja thuhet se do të firmoset nga LDK, AAK, NISMA, AKR, minoritetet e Lista Serbe.
Deri më tani, të gjitha këto parti kanë bërë të ditur se nga sa është rënë dakort, ato do të marrin nga një zëvendëskryeministër në qeverinë Hoti.
Në ekzekutivin e mëparshëm, të formuar nga vetëm dy parti, postet më të larta i mbanin tre persona, Albin Kurti si kryeminisër, Avdullah Hoti si pasardhës i tij, në postin e zëvendëskryeministrit të parë, e të njëjtën pozitë kishte dhe Haki Abazi.
Por me marrëveshjen e re që vjen si pasojë e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, në karrigen e zëvendëskryeministrit thuhet se do të ulet nga një përfaqësues për çdo parti.
Deri më tani, vetëm partitë nga radhët e minoriteteve s’kanë bërë të ditur nëse kanë kërkuar që të përfaqësohen me një zëvendëskryeministër.
Nga LDK-ja mësohet se për postin e zëvendëskryeministres do ta propozojnë Hykmete Bajramin, që momentalisht mban postin e Ministres në Detyrë të Arsimit.
Me ujdinë e re, ky dikaster pritet që t’i kalojë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila do të jetë partia e dytë më e madhe në këtë koalicion.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, LDK-ja ka deklaruar se do ta dërgojnë zyrtarisht emrin e Hotit në presidencë si të mandatuar.