Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel thotë se tregu i vetëm, një strategji e fortë e investimeve të bazuara në buxhet, një rol i fortë i Bashkimit Evropian në botë dhe mësimet e marra nga kriza COVID-19, janë shtyllat kryesore të rimëkëmbjes së BE-së pas pandemisë.

“Ne kemi shumë sfida përpara, por kemi treguar edhe më parë se në kohë krize ne mund të përballojmë dallimet tona. Ndonjëherë është e nevojshme që nga një krizë të dilet me ide krijuese dhe zgjidhje”, i tha ai Parlamentit Evropian, duke përshkruar pikëpamjen e tij për strategjinë evropiane pas krizës pandemike.

Ai vlerësoi që pas reagimeve fillestare të ndërmarra për të zvogëluar përhapjen e virusit dhe më pas udhërrëfyesit për heqjen graduale të kufizimeve, Brukseli duhet të ndihmojë dhe koordinojë veprimet e përbashkëta të Shteteve Anëtare në rindërtimin dhe transformimin e ekonomive.

“Ne duam jo vetëm rimëkëmbjen ekonomike, por edhe që ekonomitë tona të jenë më elastike pas kësaj krize,” tha Michel, duke shtuar se BE duhet të punojë më parë për të rivendosur funksionalitetin dhe të forcojë tregun e vetëm evropian.

Ai përmendi një strategji investimesh në nivele të BE-së dhe gjithashtu lokale, si fusha e dytë e strategjisë së daljes nga kriza.

“Ne kemi nevojë për një strategji investimesh të llojit të Planit Marshall për të garantuar mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Ne kemi një mundësi unike ta rregullojmë këtë përmes buxhetit të ardhshëm shtatë vjeçar të BE”, thotë Michel.

Ai theksoi se në periudhën e ardhshme, ishte e domosdoshme që BE-ja të ruajë rolin e saj si një lojtar global dhe të ndihmojë shërimin nga pandemia dhe më gjerë.

“Unioni do të vazhdojë të promovojë multilateralizmin dhe të ndihmojë partnerët, pavarësisht nëse ata janë në lagjen tonë ose nëse janë vende afrikane,” tha ai.

Presidenti i Këshillit Evropian, si zona e katërt thelbësore për strategjinë e daljes, citon udhëheqjen dhe përgjegjësinë evropiane, d.m.th. mësimet e nxjerra nga kjo krizë.

“Ne kemi nevojë për të zhvilluar një sistem qeverisës më elastik, duke iu përmbajtur parimeve të solidaritetit, unitetit dhe të drejtave themelore, siç është sundimi i ligjit”, përfundoi Michel, duke u kërkuar vendeve anëtare të punojnë së bashku për të kapërcyer krizën, duke mbajtur “kokat e tyre mbi ujë dhe sytë e tyre mbi vlerat e përbashkëta“