“Nuk ka kontrata sekrete por ka domosdoshmëri për kontrata që diktohen për interesa thelbësore të shtetit dhe këto procedura janë zhvilluar në prani të ofertuesve”.
Kështu deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës.
Fillimisht, Balla vlerësoi ratifikimin e marrëveshjes të përbashkët të prokurimit mes Shqipërisë dhe KE, të cilën e cilësoi shprehje kuptimplote e një qasje që kanë vendet anëtare dhe vendi ynë për të prokuruar së bashku pajisjet dhe mjetet luftës së përbashkët kundër COVID-19.
Balla tha se “ligji për prokurimet publike është bërë në 2006, me një asistencë të vyer të KE-së dhe neni 6 i ligjit për ‘Prokurimin publik’ ka përcaktuar rastet kur për kontrata që diktohen nga nevoja thelbësore të shtetit ka përjashtime që kanë të bëjnë me procedurën”.
“Nëse për kontratën e pajisjeve të mjekëve me maskë mbrojtëse do të ndiqeshin procedurat normale të ligjti të prokurimit publik, sot ende nuk do të kishte mbaruar afati i shpalljes së thirrje së tenderit publik. Dhe në rast se do të ishte ankuar ndonjëri prej operatorëve kjo procedurë do të ishte shtyrë dhe spitalet COVID 1 dhe COVID 2, nuk do të ishin pajisur ende sot me këto pajisje”, tha Balla.
Ai tha se “asnjë nuk mund të tallet me nevojën që ka ky shtet për të prokuruar në kohë reale ato që janë të domosdoshme”.
Balla tha se “nuk ka kontrata sekrete sepse të gjitha këto procedura janë zhvilluar në prani të ofertuesve”.
“SHBA ka angazhuar të gjitha procedurat publike të blerjes për të krijuar rezerva dhe kanë blerë me çmime shumë herë më të larta. Ne jo vetëm nuk kemi blerë me çmime më të larta por në fund të fundit edhe po të kishte ndodhur kjo, kush është më e shtrenjtë se jeta e njerëzve”, tha ai.
Balla tha se le të hetohet çdo gjë por ata që përhapin panik kanë përgjegjësinë mos ta përdorin këtë histori të kontratave sekrete se është i njëjti ligj me të cilin ka vepruar 8 vite me radhë Sali Berisha për të blerë.
“Nuk ka kontrata sekrete por ka domosdoshmëri për kontrata që diktohen për interesa thelbësore të shtetit. Në nenin 6 përcaktohen rastet kur ndiqet kjo procedurë”, tha ai.