Nga Sara Kelmendi/ Shqipëria zgjohet me 361 raste të konfirmuara me CO VID-19 dhe me 20 vik tima. Sot mbyllet java ku vendi ynë me shumë gjasë duhet të arrinte pikun, por kjo nuk do të thotë aspak që rreziku ka kaluar apo është drejt ikjes. Të gjithë duam që gjërat të kthehen në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë jemi lodhur nga kjo situatë, nga nevoja për tu mbyllur në shtëpi, nga përjetimi i ankthit të vazhdueshëm mbi të gjitha pasojat që mund të sjellë me vete kjo sëmundje, si ato shëndetësore, ashtu edhe ato ekonomike.
Ajo që shumë prej nesh ende nuk e kanë kuptuar, ose nuk duan ta pranojnë është që gjërat mund të kthehen në normalitet shumë ngadalë, mund të duhen ende disa javë ose muaj para se t’i kthehemi jetës sonë të zakonshme. Korona virusi vazhdon të veprojë me tërë fuqinë e saj në të gjithë botën, ku sot në total ka mbi 1.2 milionë të prekur dhe më shumë se 65 mijë të vdekur. Ndërsa Kina hyn në fazën e re të sëmundjes, ku i duhet të mbajë nën kontroll të infektuarit që shfaqën në zona të ndryshme, kjo nënkupton dy gjëra: që virusi nuk zhduket menjëherë pasi ka arritur pikun dhe që as në Kinë, jeta nuk është kthyer në normalitetin e mëparshëm.
Shqipëria sapo ka nisur fazën e pikut, por nga analiza e kësaj faze në vende të tjera si Italia apo Spanja është vënë re që kjo fazë nuk kalon shpejt apo me lehtësi pasi virusi mund të kthehet edhe pasi ka kaluar pikun.Megjithatë fakti që kjo pandemi mund të zgjasë më shumë nga ç’e prisnim apo nga ç’do të donim ne, nuk duhet të na frikësojë, por të na frymëzojë për të treguar më shumë kujdes dhe më shumë durim. Për të mundur korona virusin duhet të vazhdojmë të ndryshojmë në mënyrë radikale të gjitha sjelljet tona të përditshme: si punojmë, si ushtrohemi, si e kalojmë kohën me shoqërinë, si kujdesemi për shëndetin, për edukimin e fëmijëve tanë dhe si kujdesemi për pjesëtarët e tjerë të familjes. Masat që janë marrë në mënyrë të menjëhershme në Shqipëri kanë funksionuar, duke ndihmuar që të mbahet nën kontroll numri i personave të prekur nga virusi, por kjo nuk do të thotë që tani është momenti për të nisur thyerjen e rregullave aq të domosdoshme të distancimit social, pasi kjo mund të zhbëjë tërë sakrificën e deritanishme. Sipas “The Guardian”: Nuk është vetëm fakti se situata është madhore dhe ndryshimi ndodhi me shpejtësi marramendëse dhe në mënyrë të detyruar prej rrethanave. Ne jemi mësuar të dëgjojmë që në demokraci nuk ndodhin ndryshime kaq të mëdha kaq shpejt, por ja që ndodhën. Nëse kthehemi pas në kohë zbulojmë që krizat dhe katastrofat madhore kanë shtruar gjithnjë terrenin për ndryshime të mëdha, ndonjëherë për përmirësime të mëdha. Epidemia globale e gripit në 1918, i ashtuquajturi gripi spanjoll nxiti krijimin e shërbimeve kombëtare të shëndetësisë në shumë vende të Europës. Krizat ekonomike gjatë Depresionit të Madh dhe të Luftës së Dytë botërore nxitën krijimin e shtetit modern të mirëqënies sociale. Për Shqipërinë, kjo do të thotë se plani ekonomik ishte i domosdoshëm të zhvillohej në këtë moment, por nuk duhet harruar për asnjë çast që rreziku nuk ka kaluar, armiku vazhdon të jetë rreth nesh. Tani nuk është momenti për të ulur mburojën.Falë masave që u morën menjëherë, duhet të ndihemi me fat që fluksi i pacientëve me COVID-19 në vendin tonë është shumë i ulët, krahasuar me numrin e tyre në Itali, Spanjë apo SHBA që i ka tejkaluar kapacitetet që ata mund të përballojnë.
Kjo javë tregoi që lufta vazhdon dhe vigjilenca duhet të jetë po aq e pranishme sa më parë, me shumë kujdes dhe edhe me më shumë durim, duke mposhtur frikën, do të vazhdojmë të mundim armikun e padukshëm, që pret jashtë për të sulmuar këdo që të arrijë t’i afrohet.