Ka një ngjashmëri të Kosovës me Tajvanin, në këtë luftën e statistikave mbi pandeminë e Covid19.
Në një analizë të botuar sot nga The New Statesman, theksohej një ngërç që ka ardhur e është bërë më i dukshëm, me nisjen e kësaj pandemie të Covid19. Për shkak se Kina nuk e njeh Taivanin, në faqen zyrtare të OBSH nuk gjenden fare të dhëna nga ky vend, edhe pse informacioni prej tij do të ishte jetik për shkak të reagimit shembullor.
Diçka e ngjashme ndodh me Kosovën, në faqen që sot është bërë e preferuara e të gjithëve kur flitet për burim të dhënash mbi Covid 19.
Kosova nuk rezulton fare në Worldometer, faqja prej ku shumica e analistëve që më pas interpretojnë shifrat, marrin të dhënat e tyre.
Po ku pasqyrohet popullsia pothuaj 1.8 milionëshe e Kosovës? E thjeshtë. Worldometer, faqe e një kompanie me qendër në Shangai, ia ka shtuar popullsinë e Kosovës… Serbisë. Nuk dihet arsyeja pse Worldometer nuk njeh Kosovën.
Por ama kjo shpjegon arsyen e vërtetë përse në disa parametra, edhe nga ata që qarkullojnë në median tonë, Serbia rezulton më mirë se sa është në të vërtetë.
Sepse me një popullsi 8.7 milionë (kur në të vërtetë popullsia e Serbisë është 7.08 milion banorë), emëruesi rritet dhe si pasoja të dhëna të tilla si vdekshmëria për 1 milion banorë, rezultojnë të ndryshme nga sa janë në të vërtetë.
Një ilustrim? Nëse numri i të vdekurve nga Covid19 në Serbi sot është 58, atëherë treguesi i vdekshmërisë për 1 milion banorë, për popullsinë reale të Serbisë është 8,19, që do të thotë edhe më lart se Shqipëria (7) dhe disa vende të tjera të rajonit. Por nëse 58 pjesëtohet me 8,7 milion, aq sa Worldometer ia ka caktuar popullsinë Serbisë duke futur brenda edhe Kosovën, atëherë vdekshmëria e Serbisë për një milion banorë bie në 6,6.]
Për të bërë dallimin shikoni grafikët më poshtë: