Dy javët e parë të majit do të jenë një periudhë testimi për Ministrinë e Turizmit, që shpreson të çelë sezonin turistik në qershor.
“Kemi shpresën dhe besimin që do mund të kemi një riaktivizim të sektorit të paktën në muajin qershor. Gjithçka varet se si do të reagohet ndaj liberalizimit të masave dhe dy javët e para të majit do jenë një fazë përcaktuese”, tha Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit.
Ministritë e Turizmit dhe të Shëndetësisë do të mbyllin brenda kësaj jave librin e rregullave për turizmin, me masa të veçanta stacionet e plazhit, shërbimet hoteliere, baret e restorantet. “Distanca dy metër e personit me person, do të thotë që në zbatimet në terren në një stacion plazhi, një çadër nga një tjetër duket të ketë një hapësirë prej 4 metra.
Edhe për tavolinat në restorante po mendohet që distanca e tavolinave dhe karrigeve nga tjetra të shkojë deri në 3 metra. Është duke u diskutuar me të gjitha strukturat e bareve dhe restoranteve që të kemi fasha të ndryshme të orareve të shërbimit, të mëngjesit, drekës dhe darkës, që pushuesit mos të jenë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend”, sqaron Moçka për A2.
Rregulla të qarta do ketë edhe për turizmin malor dhe atë kulturor. “Do ketë rregulla edhe për turizmin në sitet arkeologjike, turizmin malor, të aventurës”, shton Moçka.
Operatoret turistik duket se e mirëkuptojnë nevojën e masave, por theksin e vënë tek koha që po ikën. “Këto masa duhet të merren sa më shpejt që të fillohen të aplikohen, të implementohen nga bizneset. Meqë dhe koha po ngrohet dhe flitet që në qershor do kemi lëvizjet e para të tregut të brendshëm, s’ka nevojë të mendohet se do vijnë charter, se nuk ka si një herë e një kohë.
Fokusi ynë duhet të jetë te turizmi shqipfolës”, thotë Kliton Gërxhani, Zv. Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike. Operatorët turistikë thonë se nuk kanë një faturë financiare për shkak të mbylljes së biznesit si pasojë e Covid-19 dhe dëmi i shkaktuar do të mund të vlerësohet vetëm në fund të vitit.