Nga Alba Malltezi/
Qeshën kur lanë mandatet e deputetëve, u vetëkënaqën me protestat pa popull, me dhunë e pa kuptim, gëzonin kur tallnin e shanin ndërkombëtarët, mbajtën barkun me dorë kur duhet të shkonin në zgjedhje, tani mbajnë të njëjtin qëndrim për sondazhin e bërë nga “MG Reserch” e Roberto Baldassarit në ReportTV, sondazh i një profesionisti që mat zhvillimet më të fundit në kohën e koronavirusit.
Sondazhi nxjerr të pëlqyer Edi Ramën dhe partinë e tij, ndërsa ata, të mërzitur e tallës, sa vijnë e tkurren dhe vazhdojnë ta shohin të keqen vetëm të të tjerët në pafundësi.
Ka vepruar gjithmonë kështu kjo pjesë e politikës shqiptare: Që kur arrestuan Fatos Nanon dhe shkruanim, duke iu referuar drejtësisë italiane, se nuk kishte prova për akuzat dhe arrestimin, tërboheshin me median. Me ne. Në vend që të tërboheshin me prokurorë e gjykatës të politizuar, servilë pushtetesh që në vend që të bënin punë e tyre seriozisht për të mbërthyer një politikan që akuzohej për korrupsion, kënaqeshin sepse ua përkëdhelnin sedrën pa pushim.
Dhe vazhdojnë kështu për dekada të tëra. Edhe sot. Nuk ndryshojnë, nuk punojnë, nuk ndërtojnë strategji që të kapin zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por vazhdojnë të shajnë, të prodhojnë atë që dinë ta prodhojnë më mirë: Urrejtjen, të keqen. Akoma nuk e kanë mësuar e pësuar se uthulla e keqe gërryen enën e vet dhe nga kjo padituri vazhdojnë e vazhdojnë derisa të zhduken, duke shpresuar që nga ky vend të dalin më në fund opozitarë të mençur e të mirë.
Qeshin sot me sondazhet disa politikanë dhe njerëzit e tyre përreth. Në të vërtetë, asnjëherë nuk dëshën t’i besonin sepse e ndjejnë veten superiorë në kullat që i kanë rrethuar me thasët e zinj të parave të korrupsionit apo të kriminalitetit. Sigurisht, i rrethuar ende nga milionat e viteve në pushtet, duke mbajtur distancë nga njerëzit dhe realiteti, të duket vetja shumë i mirë dhe habitesh se si ndërkohë zvogëlohet e zvogëlohet pëlqimi. Eshtë koha për të qeshur apo për të qarë për këtë opozitë pa logjikë?