Kreu i qeverisë tha se nga java e ardhshme çdo qytetar do të mund të dalë me makinë personale për të shkuar dhe për të ardhur nga puna, duke hequr kështu autorizimet që deri më tani merreshin edhe në polici. Rama tha se do të lejohet vetëm një person tjetër pasagjer që duhet të jetë patjetër koleg i së njëjtës punë. Ai shpjegoi edhe mënyrën se si duhet të ulen në makinë.

“Javën e ardhshme në platformën e-albania do të merret autorizim javor për ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti mund të lëvizë për vajtje ardhje në punë me vetëm një person në sedilejn e pasme diagonal i cili mund të jetë vetëm një koleg në të njëjtin vend pune. Kush merr leje duhet ta lexojë mirë pasojën penale që vjen. Ne do të bëjmë që nesër, mbase që sot mbasdite, një test dhe do të provojmë mirëfunksionimin e këtij instrumenti që i jep fund një faze në policinë e shtetit, me e-mail ku për shkak të shtrëngesave dhe kujdesit ka pasur masivisht refuzime, edhe mospërgjigje që kanë shkaktuar dhimbje koke. Ndjesë për to, por shëndeti mbi të gjitha”, tha Rama.