Përpjekja e Real Madridit për të rrëmbyer talentet më të mirë të Brazilit nuk tregon shenja ngadalësimi. Pasi ka bërë të vetët Vinicius Jr, Rodrygo, Reinier dhe Eder Militao në sezonet e fundit, tani kanë “shënjestruar” yllin e Sao Paulo, Igor Gomes. Të bardhët duhet të luftojnë për nënshkrimin e mesfushorit 21-vjeçar, pasi edhe rivalët e mëdhenj të Barcelonës marrin pjesë në këtë “ankand”.
Në vitin 2016, ndërsa ishte vetëm 17 vjeç, ai u gradua në radhët e klubit U-20, duke fituar “Copa do Brasil” në nivelin e të rinjve, para se të depërtojë në ekipin e parë, në fund të 2018-ës. Që atëherë është “shenjtëruar” në ekipin e Sao Paulo, duke fituar krahasime me një idhull brazilian, Kaka. “Nuk është mirë të bëjmë krahasime, kjo e rrit shumë presion ndaj tij. Megjithatë, ai më kujton shumë veten me stilin e lojës”, – u tha gazetarëve ish-kampioni i Botës, që ka luajtur edhe me Milanin e Real Madridin.
Gomes, gjithashtu, është i prirur të ndjekë rrugën e tij, por duke u frymëzuar nga Kaka. Për “Globo”, ka shpjeguar: “Kaka kishte karrierën e tij dhe unë kam timen, e cila po fillon tani. Nuk do doja të etiketohesha “Kaka i ri”. Tani për tani, në pozicionin tim, lojtari më i plotë është Kevin De Bruyne. Ai ndihmon në mbrojtje, shënon, asiston, kontrollon lojën, dikton tempin. Përpiqem ta studio dhe të aplikoj aspektet më të mira të tij në lojën time”.
Gomes ka kontratë deri më 2023 me klubin aktual, në të cilën përfshihet një klauzolë blerjeje me vlerë 50 milionë €. Sao Paulo, megjithatë, është realiste. Vështirësitë financiare të shkaktuara nga ndërprerja e imponuar prej Covid-19 do të thotë se mund të ketë më pak zgjedhje, duke e shitur talentin te Real Madridi, ose Barça vijnë në telefon. “Unë mendoj se është e vështirë për ta mbajtur edhe shumë kohë për shkak të moshës dhe talentit të tij, – tha trajneri i “tricolor”, Fernando Diniz.
– Sao Paulo nuk do t’i shpëtojë krizës, ashtu si asnjë klub brazilian. Klubet duhet të shesin për të përmbushur detyrimet e tyre financiare. Deri në një pikë, klubi do të jetë gati i detyruar të shesë më të mirët. Nëse më pyesin mua, është e qartë çfarë dua: të qëndrojë sa më gjatë të jetë e mundur, sepse Gomes është një lojtar me aftësi të rralla, vështirë ta gjesh në futbollin brazilian, mbase edhe në botë. Ai është jetik për ne”.