“Këshilli Politik duhet të rifillojë menjëherë punën për të mos penguar a vonuar Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, deklaroi sot Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ruçi në fjalën e tij në hapje të seancës plenare të sotme informoi për disa nga zhvillimet kryesore në veprimtarinë e Kuvendit javët e fundit, gjatë pandemisë. “Në seancën plenare të 16 prillit, Kuvendi miratoi zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore deri më 30 Qershor 2020 dhe Komisioni do te mblidhet gjatë kësaj jave, me përdorimin e mjeteve të komunikimit elektronik. Këshilli Politik, i përbërë nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, drejtuesit e Komisionit dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në parlament, nuk është mbledhur prej datës 10 Mars. Edhe pse ekspertët e Këshillit po punojnë në lidhje me ata dispozita të Kodit Zgjedhor për të cilët Këshilli ka dhënë dakortësinë, Këshilli duhet të rifillojë menjëherë punën për të mos penguar a vonuar Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, tha Ruçi.

Ruçi u shpreh se, “gjatë muajit prill, janë zhvilluar gjithsej 27 mbledhje të komisioneve të përhershme. Të gjitha komisionet kanë qenë aktive, por për shkak të natyrës së akteve ligjore, ngarkesën më të madhe të punëve e kanë pasur Komisioni i Ekonomisë, i Ligjeve dhe i Sigurisë, të cilat kanë zhvilluar respektivisht nga 7, 5 dhe 5 mbledhje, duke shqyrtuar 18 akte ligjore, 12 akte normative dhe 9 marrëveshje”. “Në seancat plenarë të 16 dhe 23 prillit u miratuan 26 ligje dhe 7 vendime. Kuvendi nuk ka pasur asnjë vonesë apo pengesë në shqyrtimin e akteve ligjore, akteve normative si edhe marrëveshjeve të depozituara për shqyrtim e miratim”, theksoi Ruçi.

Megjithatë, shtoi Ruçi, “edhe pse në situatë emergjence, duhet të garantojmë sundimin e shtetit të së drejtës. Prandaj kërkoj më shumë përkushtim e rigorozitet në procedurat e shqyrtimit të akteve, angazhim më të madh të komisioneve, sipas fushës së përgjegjësisë, t’i jepet koha e duhur çdo deputeti për të studiuar thelbin e aktet ligjore që shqyrtojmë e miratojmë. Relacionet shoqëruese duhet të japin më shumë informacion për deputetet dhe publikun, mbi diskutimet dhe konsultimin publik të nismave”.

“Konsultimi virtual me publikun dhe institucionet nuk duhet të zbehet. Procesi i konsultimit publik të nismave të qeverisë duhet të vendoset në faqen e Kuvendit, me qëllim që të aksesohet nga grupet e interesit”, tha Ruçi. “Kuvendi ishte ndër institucionet e para që patën një reagim të menjëhershëm dhe efikas per shperndarjen e informacionit mediave e qytetarëve. Megjithatë, duhet të bëhemi më aktivë. Shërbimet e Kuvendit kanë marre te gjitha masat per regjistrimin e mbledhjeve qe zhvillohen me platformën eketronike, duke mundësuar regjistrimin e tyre me disa programe, për të evituar kështu çdo problematikë të mundshme teknologjike”, tha Ruçi.

“Pasqyrimi i menjehershëm nga shërbimi i medias mundësoi që të mos ketë boshllëk në garantimin e transparences dhe transmetimin e veprimtarive parlamentare. Seancat plenare transmetohen direkt nëpërmjet prezencës në sallë të kamerave të Radio-Televizionit Shqiptar, i cili ua dërgon sinjalin edhe mediave të tjera. Prej datës 30 Mars filluan te transmetohen direkt mbledhjet e komisioneve. Kjo pati impakt pozitiv ne rritjen e transparences dhe informimin e publikut”, theksoi Ruçi. “Kuvendi nuk e ka ulur vëmednjen ndaj reformave të rëndëisshme në proces. Përkundrazi”, shtoi Ruçi, “kemi ndjekur me përgjegjësi ecurinë e reformës në drejtësi dhe funksionimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po përpunon informacionet për tre vakancat për kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetues, dy të shpallura nga Presidenti i Republikës dhe një nga Kuvendi. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka depozituar në Kuvend projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe numrit të punonjësve”, i cili u përfshi në Programin e Punës dhe Kalendarin e Punimeve. KLGJ, në datën 27.02.2020, i propozoi Presidentit të Republikës tre kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur dhe në datën 11 mars Presidenti i Republikës vendosi dekretimin e tre kandidaturave të propozuara”.

Ruçi tha se, “Detyra e degës legjislative të qeverisjes nuk është vetëm mirëfunksionimi i vetvetes, por ushtrimi i kontrollit parlamentar dhe garantimi i pjesëmarrjes së publikut në monitorimin e ligj-bërjes dhe qeverisjes. Prandaj Kuvendi i ka kushtuar vëmendjen e duhur funksionimit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj”. “Këto institucione kanë vazhduar ushtrimin e detyrave institucionale, me reduktime të burimeve njerëzore në zbatim të VKM për kujdesin prindëror, por edhe në respektim të rregullave të mbrojtjes nga pandemia. Banka e Shqipërisë ka vijuar punën dhe mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës janë mbajtur rregullisht online. Avokati i Popullit ka bërë detyrën nëpërmjet oponencës në mbrojtje të shtresave në nevojë dhe fushave të tjera të kompetencës”.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vazhduar me evadimin e raporteve të auditimit, dhe ka proceduar me njoftimet për auditimet e planifikuara. Prokuroria e Përgjithshme, Prokurori i Përgjithshëm dhe trupa e prokurorëve së bashku me stafin e lartë drejtues kanë qenë në çdo ditë në krye të punëve të tyre. Këshillli i Lartë Gjyqësor, Këshillli i Lartë, AKEP, Enti Rregullator i Energjisë, Enti Rregullator i Ujit dhe AMA, kanë organizuar mbledhjet periodikisht online, për kryerjen e detyrave të tyre funksionale. Komisionerët dhe agjencitë e krijuara me ligj, kanë punuar kryesisht në distancë dhe janë prezent në punë kur është e nevojshme”, shtoi Ruçi. “Për kushtet specifike që jetojmë dhe intensitetin e problematikave, u kërkoj institucioneve të na informojnë periodikisht, mbi bazë javore, për problematikat e konstatuara dhe kapërcimin e tyre. KLGJ e KLP duhet të informojnë Kuvendin mbi respektimin e të drejtave për gjykim të të drejtë dhe shkallën e zbatimit të procedurave te reja dhe të shpejta të gjykimit të çështjeve, me qëllim që të mos krijohen mbingarkesa në dosje dhe të ketë vonesa të pajustifikuara në gjykimet e çështjeve që nuk presin ose që mund të bëhen edhe në kushtet e pandemisë. Edhe pse në kohë jonormale, drejtësia duhet të jepet si në kohë normale”, tha Ruçi.

Së shpejti, u shpreh Ruçi, “unë si Kryetar i Kuvendit do të organizoj takimin e rradhës të Mekanizmit të Monitorimit Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura, për të verifikuar zbatimin e rekomandimeve të instucioneve të pavarura nga Qeveria dhe identifikuar nevojat për mbështetje e ndërhyrje nga Kuvendi”. “Masat e mara për shkak të pandemisë kanë kufizuar disa të drejta si lëvizjen e lirë, grumbullimet, arsimimin etj. Kuvendi ka detyrimin të vlerësojë ndikimin e këtyre kufizimeve te qytetarët dhe të marrë masa për të kufizuar këtë ndikim. Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve të monitorojë zbatimin e ndryshimeve në Kodin Penal të miratuar pak ditë më parë”, nënvizoi Ruçi.

“Siç kam nënvizuar, masat e drejta të marra nga Qeveria dhe të mbështetura nga Kuvendi kanë ndikuar që situata e pandemisë së koronavuirusit në Shqipëri të jetë nën kontroll. Tashmë Qeveria ka filluar të zbatojë masat për përballimin e pasojave ekonomike e financiare të pandemisë. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh disa mendime mbi strategjinë e daljes nga kjo pandemi”, tha Ruçi. “Siç është bërë e qartë edhe nga vendet dhe ekonomitë e mëdha të botës, dalja nga pandemia nuk do të jetë një proces teknik i menjëhershëm, por një proces adaptiv, gradual dhe i kujdesshëm. Ky proces do të kërkojë që për një periudhë të caktuar, derisa virusi të zhduket plotësisht, do të bashkëjetojmë me të. Duhet të mbajmë mirë parasysh se dalja nuk është një proces i pakthyeshëm. Ajo do të jetë e suksesshme në varësi të lidershipit politik, por edhe të sjelljes së sektorit privat dhe të qytetarëve”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Ai shtoi se, “strategjia e daljes duhet të bëjë kujdes që të mos cënojë a rëndojë më shumë mirëqenien e njerëzve, duke mbajtur parasysh parimin se ne nuk kemi të drejtë të privojmë qytetarët nga të drejtat që atyre u ka dhënë ligji. Ne nuk jemi zotër, por mbrojtës të interesave të qytetarëve. Barra e daljes duhet të jetë progresive: kush fiton më shumë, përballon më shumë, ndërsa grupet nevojtare të popullsisë, pensionistët apo përfituesit e programeve sociale duhet të vazhdojnë të mbështeten e të mbrohen”. “Strategjia e daljes duhet të garantojë harmonizmin e mbështetjes për bizneset, me qëllim që të shpëtojmë e rigjallërojmë tregjet, të nxisim prodhimin dhe të mbajmë në nivele optimale ofertën ekonomike. Por nga ana tjetër, duhet të tregojmë të njëjtin kujdes për mbrojtjen e konsumit dhe mbijetesës së konsumatorëve, si një stimul edhe për vetë prodhimin dhe shërbimet’, tha Ruçi.

“Fakti që kemi miratuar disa akte normative me fuqinë e ligjit, nuk duhet të dobësojë komunikimin e komisioneve parlamentare me sipërmarrjet, për hartimin e një plani të ringritjes ekonomike të studjuar e realist. Duhet të bëjmë kujdes për të mos lejuar dobësimin e rrjeteve mbrojtëse që kemi krijuar për grupet nevojtare të popullsisë. Është detyrë e Kuvendit, komisioneve e grupeve parlamentare dhe çdo deputeti, të monitorojnë mbështetjen e mosdiskriminimin e të varfërve e të dobtëve”, theksoi Ruçi.