Sot në mëngjes në orën 09:25 ka mbërritur grupi i parë i shqiptarëve nga Stambolli. Pas riatdhesimit shqiptarët, të pajisur me maska dhe doreza u kontrolluan nga mjekët dhe infermierët në aeroport për të parë nëse kanë simptoma të koronavirusit, ndërsa më pas u drejtuan me autobus për në dy hotelet e Durrësit për të qëndruar 14 ditë në karantinë.
Në prononcimet për Report Tv, disa nga pasagjerët, mes tyre pjesa kryesore studentë u shprehën se kanë qëndruar për gati dy muaj në pritje të riatdhesimit. “Dy muaj qëndruam në pritje. Erdha nga Stambolli” tha njëri prej tyre. “Ishte shumë kollaj, nuk kishte pengesa, do të rrimë në hotel” tha një tjetër. “Falenderoj qeverinë që na ktheu” tha një grua.
Një nga pasagjerët shpjegoi edhe kontrollin mjekësor. “Na kontrolluan për temperaturën. Qëndrova një muaj në pritje. Do të qëndrojmë në hotel në Durrës. Udhëtimi shkoi shumë mirë”. Referuar procedurës së aplikimit. “Procedurat ishin pak të vështira por më ndihmuan nga Shqipëria”. “Isha në shkollë u bë një muaj e ca në karantinë dhe doja të kthesa. Për biletën pagova 100 euro ndërsa cdo ditë veç 7 euro” tha një student.