Shkon në 96 numri i mjekëve që kanë humbur jetën nga COVID-19 në Itali. Në listën e publikuar nga Federata Kombëtare e Urdhrave Mjekësorë është shtuar Nabeel Khair, 62 vjeç, me origjinë palestineze, i cili ishte në shërbim në klinikën ambulatore Tonara në provincën e Nuoros, i pari që humbi jetën në Sardenjë në mesin e të infektuarve me koronavirus. Ai u pranua në spitalin Santissima Trinità në Cagliari pasi ishte pozitiv në Covid-19 në mes të marsit. Midis viktimave të reja është edhe Giuseppe Vasta, mjek i familjes.

Në listë, nënvizon presidenti Filippo Anelli, “u vendos që të përfshihen të gjithë mjekët, në pension ose akoma aktiv, sepse për ne të gjithë mjekët janë njësoj. Disa nga mjekët në pension, për më tepër, kishin mbetur ose ishin thirrur përsëri në punë; disa ishin përgjigjur thirrjes për ndihmë. Ata kurrë nuk ndaluan së qeni mjekë”.