Mjekët e 17 klubeve të serie A kundërshtojnë protokollin e rifillimit të stërvitjes së ekipeve. Nëpërmjet një dokumenti prej 20 faqesh, pasqyrohen të gjitha dyshimet e tyre.
Përjashtim janë bërë në këtë letër mjekët e Juventusit, Lazio dhe Genoas. Problemi kryesor lidhet me pasojat ligjore dhe penale nëse ndonjë futbollist apo anëtar stafi do të rezultonte pozitiv.
Sipas mjekëve, protokolli nuk përmban masa të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor. Sipas tyre stërvitjet e klubeve nuk mund të nisin më 4 Maj.
Shqetësime të tjera janë se si do të veprohet me futbollistët që e kanë kaluar virusin, si do të kryhen analizat e tamponëve, prania e rrezikut gjatë ndeshjeve në transfertë, si do të veprohet me ndeshjet që do të luhen ne krahinën e Lombardisë ku masat izoluese janë dyfish më shumë se në zona të tjera dhe pamundësia për të mbajtur të painfektuar të gjithë grupin e lojtarëve.
Kjo situatë ka sjellë edhe përplasje influencash në futbollin italian. Mediat vendase raportojnë se Federata dyshon se letra e mjekëve është instrument i armiqve të saj.
Organizmi i futbollit në Itali pret vendimet e Ministrisë së Sportit dhe Shëndetësisë për t’i hapur rrugë rikthimit të futbollistëve në seancat stërvitore. Fillimisht mendohet që futbollistët do të nisin stërvitjen individualisht me pas rreth mesit të muajit Maj seanca me grupe të vogla.