Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi se mësimi që është marrë gjatë kohës së karantinës, nuk do të jetë pjesë e pyetjeve për testin e maturës.
Në një intervistë për një nga mediet e vendit, Shahini sqaroi se nëse shkollat nuk hapen në muajin maj, atëherë viti shkollor do të shtyhet.
“Nëse nuk arrijmë t’i hapim shkollat në maj atëherë duhet që ta shtyjmë pak vitin shkollor dhe po e them vazhdimisht në të gjitha komunikimet e mia publike dhe po e përsëris edhe sot. Maturantët nuk kanë nevojë të shqetësohen fare. Këto leksione që janë zhvilluar në kushte shtëpie, nëse nuk arrijmë t’i përsërisim në shkollë nuk do të jenë në pyetje të provimit të maturës. Ata thjeshtë të përpunojnë materialin e klasës së 10-të, 11-të dhe të gjitha ato që kanë bërë në shkollë në klasës e 12-të dhe kjo është përgatitja më e mirë që mund të bëjnë për testin e maturës”, tha Shahini.
Sipas saj, edhe pse gjatë kësaj periudhe izolimi leksionet online janë marrë por kjo nuk është e njëjta gjë sikurse nxënësit të ishin fizikisht në shkolla.
“Janë dy forma vlerësimi që ndodhin. Zakonisht ndodh në klasë që marrin vlerësimet nga mësuesit dhe në fund është vlerësimi i rëndësishëm në fund të klasës së 9-të osë 11-të. Për vlerësimin në klasë ne do të përpiqemi të përfshijmë sa më shumë edhe nga këto konceptet e reja që janë zhvilluar në kushte shtëpie sepse nxënësit i kanë zhvilluar ato deri në një farë mase. Natyrisht, i kemi orientuar mësuesit të jenë shumë të kujdesshëm se çfarë lloj pyetjesh bëjnë dhe çfarë lloj testimesh bëjnë, sepse përkundër që janë zhvilluar një sërë konceptesh, nuk janë zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikurse po të ishin në shkollë. Kjo është e para. Ndërsa për testin e maturës thjesht nuk do të ketë pyetje në leksionet që do ishin zhvilluar në mars, prill, maj, nëse nuk kthehemi në shkollë t’i zhvillojmë aty. Kjo është edhe një orientim që e ka marrë edhe qendra e shërbimeve arsimore e cila harton teste nga ekspertët e tyre dhe ata nuk e shohin problematike fare që t’i heqin pyetjet të cilat kanë qenë të kësaj periudhe”, -u shpreh ministrja.