Pa maska mbrojtëse, pa doreza, me rrobat e trupit veshur dhe mbi një biçiklitë në autostradë. Kështu e gjeti policia italiane një 33-vjeçar shqiptar, që kishte nisur një aventurë të nxitur nga izolimi i koronavirusit.
Autoritetet italiane thonë se mëngjesin e së premtes janë njoftuar nga telefonata të drejtuesve të kamionëve për një person që po lëvizte me biçikletë në autostradën A27, pranë Trevizos dhe Venecias në veri të vendit.
Identiteti i të riut shqiptar nuk bëhet me dije, por mediat vendase thonë se ai ishte rezident në zonë. Pyetjes së patrullës së policisë se ku po shkonte me biçikletë në një autostradë ku limiti i shpejtësisë është tejet i lartë, 33-vjeçari shqiptar i është përgjigjur shkurtimisht. “Po shkoj në Shqipëri”.
Ai është ndaluar menjëherë, ndërkohë që pas marrjes në pyetje autoritetet italiane thonë se 33-vjeçari vuante nga një gjendje ankthi e lidhur me karantinën dhe vetëm pak ditë më parë ishte shtruar në spital për këtë problem, madje në dorë mbante ende byzylykun spitalor me emrin dhe datën e shtrimit në spital.
Policia thotë se i shqiptari ka dalë me biçikletë të premten në mëngjes duke marrë më pas autostradën në A27 në veri të Trevizos. Këtu ka marrë rrugën për në jug, në drejtim të Venecias. Por, aventura e nisur është ndërprerë shpejt, pasi drejtues kamionësh, të vetmit që lëviznin lirshëm në atë orat në këtë zonë me kufizime lëvizjeje në Itali kanë telefonuar policinë për ta njoftuar.
33-vjeçari u gjet në një gjendje të rënduar mendore, por kjo nuk ia shmangu gjobën prej rreth 570 euro, ku 530 euro për shkelje të urdhrit të karantinës dhe 40 euro të tjera për hyrje të parregullt në autostradë, pasi biçikletat nuk lejohen.
Nga dëshmia e dhënë, policia italiane thonë se plani i 33-vjeçarit ishte që me të mbërritur në Venecia do të drejtohej në lindje për të kaluar më pas në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi dhe Shqipëri.