Numri i hoteleve karantinë në qytetin bregdetar të Durrësit që do të shpërbejë për të riatdhesuarit nga vendeve të ndryshme të Europës dhe jo vetëm, ka shkuar nga 2 në 12 hotele për shkak të kërkesave të larta të shqiptarëve për t’u riatdhesuar.
Sipas Fletores Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, hotelet e kthyer në karantinë janë: Hotel “AS” në Golem, “Ibiza” në Golem, “Bonita” në Golem, “Sun” në Durrës, “Gloria” në Golem, “Horizont” në Durrës, “Brilliant” në Golem, “Kolaveri” në Malin e Robit, “Fafa” në Golem, “Eter”në Malin e Robit, “Dolce Vita” në Golem dhe “Brothers Dijon” në Golem.
Sipas rregullave të vendosura nga qeveria, personat që riatdhesohen duhet të vendosen në hotele për 14 ditë, për të shmangur përhapjen e koronavirusit.
Në total një ditë fjetja dhe ngrënie e tre vakteve shkon në 2500 lekë për person në ditë, nga të cilat qeveria do të garantojë 1700 lekë për akomodimin dhe fjetjen nga fondi i emergjencave në buxhetin e shtetit, dhe 800 lekë në ditë për ngrënien do të paguhen nga vetë qytetari.
“Mbulimi i shpenzimeve të akomodimit të përkohshëm në vlerën 1 700 lekë për person në ditë nga buxheti i shtetit, fondet e emergjencës, dhe 800 lekë në ditë nga personi i riatdhesuar, në total 2 500 lekë për person në ditë, sipas raportit dhe procedurës së ndjekur ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Unionit Turistik Shqiptar (UTSH) dhe Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA) dhe sipas dokumentacionit që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi”, shkruhet në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare.
Riatdhesimet vijojnë me program të përcaktuar nga qeveria, në të cilët qytetarët duhet të aplikojnë në portalin e-albania për rezervimin e hotelit dhe biletës, ku gjatë ditës së sotme mbërritën 82 qytetarët nga Viena. Qytetarët shqiptarë sapo mbërrijnë në Rinas ata transportohen direkt me autobus të posaçëm drejt hoteleve karantinë në Durrës, ku duhet të qëndrojnë 14 ditë. /shqiptarja.com/