Qeveria ka marrë vendim për të shtyrë pagesën e qirasë për 2 muaj, prill dhe maj për 3 kategori, biznesin e vogël që është mbyllur për shkak të situatës, familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës dhe studentët që janë larguar për në banesat e tyre pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë.

Vendimi i qeverisë i publikuar në Fletoren Zyrtare, është një shtesë që i bëhet aktit normativ nr.3 të datës 15 mars 2020 të Këshillit të Ministrave “për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

“Të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, që kanë kontratë pune por e kanë pezulluar/zgjidhura të si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020. Të gjithë qiramarrësit studentë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës–qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020. Të gjithë qiramarrësit persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë)lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020″, thuhet në vendim.

“Detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj 2020. Për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi i prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020”, thuhet në aktin normativ.

Ndërkaq, akti normative parashikon se të gjithë qiradhënësit të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim pritet të përballen me penalitete.

“Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë, të cilët kanë ankesë për qiradhënësin si pasojë e moszbatimit të detyrimeve të mësipërme, do t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet komunikimit elektronik. Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ndjekjen dhe zbatimin e parashikimeve të kësaj pike dhe nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse”. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit.