Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për News24 për shumë çështje që shqetësojnë sot shqiptarët në kohën kur vendi është ende i mbyllur me masa për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe ka nisur hapja graduale e disa degëve të ekonomisë.
Rama tha se për krijimin e lehtësimeve baza janë shifrat në spitale, duke sqaruar se si do të bëhet kjo hapje.
“Me bllokun e parë të lehtësimit që është blloku i aktiviteteve të hapura është lehtësuar puna për një pjesë të konsiderueshme të sektorit të punës privat në Shqipëri. me bllokun e dytë që është deklaruar se do të hapet më 27 prill janë mbi 5 mijë njerëz që kthehen në punë. Nuk është pak. Në këtë proces udhëhiqemi nga dinamika e luftës në vijën e zjarrit. Nga shifrat e infektimit dhe situata në spital. Situata në spital është nën kontroll. Kemi një numër minimal në terapi intensive dhe kjo na jep mundësi të shikojmë për hapjen. Do të ecim javën e ardhshëm duke parë shifrat me bllokun tjetër dhe pastaj një bllok të fundit që është blloku me risk më të lartë sipas atyre që shohim që po bëjnë shtetet e tjera”, deklaroi Rama.
Sa i përket paketave ekonomike, Rama tha se bazuar në PBB ne kemi një nga paketat më domethënëse krahasuar me kapacitetet tona. “Ka dhe një gjë tjetër që vlen të theksohet, pavarësisht se një numër i madh nga ato dy paketat kthehet në punë ne nuk do të tërheqim asnjë qindarkë mbrapsht por të gjitha pagat e premtuara do të shkojnë tek ata që janë subjekt. Taksistët do të fillojnë punë javën e ardhshme por do të vazhdojnë të marrin pagën e luftës, ashtu si punonjësit e dyqaneve, të tregjeve. Të gjithë do të marrin atë që iu takon, qoftë nëse janë kategoria më e goditur që ishte në paketën e parë qoftë kategoria tjetër që do të përfitojë 400 mijë lekë.
Kisha një diskutim me disa ministra dhe dre e tatimeve dhe dëgjova nga të gjithë ata që janë refuzuar në paketën e parë janë thuajse të gjithë, 60 mijë e kusur persona që do marrin 400 mijë lekët e bonusit të luftës sepse është një procedurë më e thjeshtë.
Bëhet fjalë për të gjithë taksistët në të gjithë vendin me perimetër lëvizjeje brenda qytetit”, u shpreh kryeministri.