Nga Alfred Peza/

Karantinimi i detyrueshëm të popullsisë dhe ruajtja e distancimit social, si të vetmet masa të aplikuara deri më tani përballë pandemisë globale, kanë mundësuar që të dalin më në pah e të ekspozohen më qartë, disa tendenca të cilat që në kushtet e djeshme normale, nuk kanë rënë edhe aq në sy. Më shumë sesa tek qëndrimet politike të partive, ato bien në sy tek sjelljet e liderëve të tyre.

1.- Tendenca e parë që ka rënë hapur në sy tek të gjithë besoj, lidhet me steriotipin e sjelljes dhe reagimit qytetar të politikanëve të diplomuar për mjekësi. Duke qenë se mjekët dhe infermierët në veçanti dhe të gjithë punonjësit e tjerë të sistemit, janë sot në vijën e zjarrit të luftës ndaj virusit vrasës, ishte momenti për të parë sesa të lidhura janë fjalët me veprat tek politikanët tanë.

Është pritur të vishnin bluzat e bardha për të dhënë kontributin e tyre, duke i dhënë një cilësim që në politikë sikur edhe 100 vjet të tjera të qëndrojnë nuk kanë përfituar kurrë: Heronj! Por as Sali Berisha, as Tritan Shehu, as Bardh Spahia, as Flamur Noka, as Petrit Vasili dhe as të tjerë akoma, që mund ta mbajnë këtë diplomë, nuk i janë bashkuar kolegëve të tyre.

Si të mos mjaftonte kjo, kanë qenë më aktivët e agresivët publikisht, për të futur përçarjen mes tyre, për të ngjallur panik, për të disinformuar, për të bërë politikë në kurriz të bluzave të bardha dhe pacientëve të tyre, në mbrojte të të cilëve kanë bërë edhe Betimin e Hipokratit.

2.- Edi Rama sikur ta ketë ditur që do të vinte kjo ditë, prej shumë e shumë vitesh në politikë, ka qenë e mbetet, një nga liderët më aktivë në rrjetet sociale, në mediat online dhe në përdorimin e internetit.

Nëse dikush do bënte një studim profesional, me siguri që nuk do arrinte të dallonte për nga intensiteti dhe prezenca mediatike, Kryeministrin para dhe gjatë pandemisë. Mungojnë vetëm batutat direkte me njerëzit përballë, si atëherë kur menaxhonte në terren, situatën e tërmetit të 26 nëntorit.

3.- Ilir Meta megjithëse ka zgjedhur që të jetë në anën e luftës kundër Covid-19, sërisht nuk i ka harruar disa zakone të vjetra të cilat nuk aplikohen dot në kushtet e shtëpisë. Vazhdon të meret me punë bujqësore si kositja e barit. Me pasurimin e herbariumit të tij, duke pozuar para mimozave dhe gjetheve të pyllit. Me aplinizëm duke shëtitur nëpër malet e Çepanit e ndanë Kanioneve të Osumit. Duke harruar disa gjëra që fare mirë mund të bëheshin në kushtet e zyrës, si konferencat e përditshme për shtyp.

4.- Lulzim Basha duket më aktiv tani, sesa përgjatë 15 viteve të tjera në politikën shqiptare, para fillimit të karantinës. Nuk e ka harruar instiktin e ditëve të fundit, përpara zbulimit të rasteve të para të të prekurve me Covid-19, në Shqipëri. Por ndryshe nga pazari i mëngjesit me teta Verën, kur doli për të blerë domate në treg, tani shkoi e surprizoi natën e të fliste nga distancë me policët në shërbim.

Ka vijuar të dali në media me të njëjtën frekuencë edhe kur nuk ishte i vetkarantinuar, duke mos na dhënë mundësinë që të kuptojmë, se kur është duke fjetur e kur duke punuar. Nëse edhe Shqipëria nën shembullin e Gjermanisë, do të njihte më ligj pas kësaj punën në kushtet e shtëpisë, me siguri që Kryetari i Partisë Demokratike, mund të ishte përfituesi i saj i parë.

5.- Sali Berisha u tregua më i sinqerti mes politikanëve të diplomuar për mjekësi, pasi të paktën e pranoi se pas 30 vjetësh, e kishte harruar zanatin. Sa i sinqertë është në tek ky pohim? Këtë ndoshta nuk do ta dimë kurrë.

Por ajo që dimë me siguri është fakti se ndërkohë që ai i bën thirrje shqiptarëve që të thyejnë karantinën e të dalin për protesta kundër qeverisë, ai vetë është parë deri tani, që të jetë zbatuesi më i rregullt i të gjitha vendimeve të Edi Ramës, duke mos dalë asnjëherë jashtë derës së shtëpisë.

Në këto kushte Sali Berisha si qytetar është treguar shembullor. Si mjek, dezertor. Si politikan, nga ata që predikojnë: Bëni si them unë, e mos bëni si bëj unë!