Tiranë, 3 Prill- Komiteti Teknik i Ekspertëve ka raportuar mbi situatën aktuale të COVID-19 në një video- konferencë të thirrur nga kryeministri Edi Rama.
Drejtuesja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP prof. Silva Bino, është shprehur se në strategjinë e zbulimit të rasteve të COVID-19 janë identifikuar dhe kanë kryer tamponin të gjithë rastet e presonave të dyshuar si dhe kontaktet e tyre të cilat janë kapir herët.
“Ajo që do të thoja është që tamponi dhe testimi nuk janë qëllim në vetvete, janë mjet për të siguruar kontrollin e sëmundjes. Pra nëpërmjet testimit ne synojmë të izolojmë apo të karantinojmë të tjerë. Nëpërmjet çdo testimi ne kemi izoluar çdo të dyshuar dhe kemi karantinuar të gjithë personat e kontaktit, ky është një veprim që kryehet për shumicën e sëmundjeve infektive. Qëllimi është që rastet të kapen herēt dhe ne rastet i kemi kapur herët, nëpërmjet 127, spitaleve, mjekut të familjes dhe më tej janë hetuar e gjurmuar. Në strategjinë tonë ka qenë hetimi i kontakteve të ngushta, hetimi i kontakteve të para, të brezit të dytë dhe brezit të tretë.
Në lidhje me tamponet dhe testimin ka pasur gjithnjë strategji testimi të personave të dyshuar, konkateve të ngushta dhe kontakteve të dyta”, tha Silva Bino.
Bino theksoi se masat shtërnguese të distancimit social që qeveria ka ndërmarrë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në drejtim të zbutjes së kurbës.