Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur që t’u ofrojë më shumë kohë qytetarëve të interesuar për kredi me terma të buta për strehim. Nisur nga vështirësitë për të siguruar dokumentat e kërkuara në kushtet e ndalimit të lëvizjes normale, Bashkia lejon tanimë që të interesuarit të aplikojnë deri në 17 maj. Afati i mëparshëm ka qenë 17 marsi.

Sipas vendimit të mëparshëm, do të jenë 1.000 familje që mund të përfitojnë nga kredia e butë, deri në 3 për qind, ndërkohë që pjesën tjetër të kësteve në bankë e paguan shteti. Aplikimet për këtë vit kanë nisur që më 15 shkurt.

Përparësi në këtë program kanë çiftet e reja, kur mosha totale e dy anëtarëve të familjes nuk i kalon 70 vjetët. Programi i subvencionimit të interesave të kredive është i dedikuar për familje apo individë që nuk disponojnë banesë në pronësi dhe janë në vështirësi financiare; për individë apo familje të minoritetit rom dhe egjiptian, si dhe gra kryefamiljare, ose gra të dhunuara.