Treguesi i besimit në sektorin shërbimeve (TBSH) shënoi rritje me 16.1% gjatë tremujorit të parë 2020, njoftoi sot Banka e Shqipërisë, në raportin e vrojtimin të besimit të biznesit dhe konsumatorit në ekonomi, vrojtim i cili është kryer përpara situatës së krijuar nga COVID-19, në vendin tonë.
Sipas TBSH-së, kjo dinamikë e rivendosi treguesin mbi mesataren historike të tij, referuar edhe zhvillimeve tejet pozitive që shënoi sektori i turizmit gjatë vitit 2019.
Përmirësimi i BSH-së reflektoi rritjen e të dy balancave formuese të tij, përkatësisht balancës së ecurisë së biznesit, me 18.7% dhe balancës së kërkesës, me 13.5%.
Një ecuri në kahun rritës shfaqën edhe balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare, punësimi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.
Bizneset në këtë sektor rezulton të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 1.3% më të lartë se një tremujor më parë. Ky tregues qëndron si mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë të një viti më parë (0.5 %), ashtu edhe mbi mesataren historike të tij (2.2 %).