Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali i ka cilësuar si dramë dhe komedi propozimet e kryedemokratit Lulzim Basha për situatën e COVID-19, e ndërsa komedi paketën ekonomike të demokratëve. E ftuar virtualisht në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, Spiropali i ktheu edhe përgjigje skepticizmit të Bashës se qeveria fsheh numrin e të infektuarve të viktimave nga COVID-19.

“Janë parashikime krejt normale, e habitshme pse nuk janë bërë parashikime të tilla, kemi ndryshime për karantinimin e kafshëve, jo të njerëzve. Përgjigjet për problematikat e ngritura nga Basha tingëllonin si dramë, dhe për paketën ekonomike tingëllonin si komedi. U fol se nuk po bëhen testime, është e rëndë dhe qesharake, qeveria nuk i fsheh dot të vdekurit. Shifra e vdekshmërisë është më e ulëta në rajon. 8 qytetarë për 1 milionë banorë. Po ashtu raporti i të infektuarve me ata që infektohen, është në rënie të vazhdueshme kjo tregon që menaxhimi i situatës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe jo më kot kemi këto rezultate. Shqipëria ka qenë ndër të parat që ka mbyllur shkollat dhe ka filluar karantinimin, të gjitha vendet që kanë marrë këto masa kanë patur një kurbë në rënie”, tha Spiropali.

Ajo ka ripërsëritur deklaratën e kryeministrit Edi Rama duke thënë se nga paketa e re financiare e prezantuar ditën e sotme përfitojnë 170 mijë familje.
“Të jeni të sigurt që llogaritë nuk i bëjmë 7×7=42! I kemi përpara edhe llogaritë e shtetit, edhe llogaritë e të ardhurave, kemi të gjitha mundësitë që t’i prezantojmë. Buxheti i shtetit i financon të dyja paketat financiare. I gjithë disiplinimi financiar, 6 vjet e gjysmë na ka siguruar që të kemi hapësira fiskale që t’u gjendemi qytetarëve në këto ditë të vështirë. Kjo paketë mbulon shumë nevoja. Përfitojnë 170 mijë familje”, shtoi ministrja.
Duke u ndalur tek ndryshimet në Kodin Penal, Spiropali tha se ajo është një referencë e ligjeve të vendeve europiane, që ka si qëllim jo burgosjen e qytetarëve, por mbrojtjen e tyre.
“Kemi në plan për të vërë ndryshime për të mbushur një hapësirë që deri më tani ka qenë sa i përket karantinimit dhe një situatë të tillë pandemie nuk e kemi parashikuar në Kodin Penal, se çfarë ndodh në rast shkelje apo rrezikimi të jetës së njerëzve, duke i imituar ato. Nuk kemi ndërmend të bëjmë shpikje, por disa ndryshime që janë krejtësisht normale. Nuk ka lidhje me burgosjen e qytetarëve, por me mbrojtjen e qytetarëve që virusin mund ta përdorin si armë për të vrarë të tjerët. Nuk i ke dëgjuar për burg, se ata e kanë si parashikim”, përfundoi Spiropali.