Jan Oblak, portieri i Atlético Madrid, aktualisht është ndër më të mirët në botë. Pak dyshojnë te slloveni, por ato që konfirmojnë supremacinë e tij janë numrat, statistikat. Këto të fundit thonë se ai është katër herë fitues i “Zamora” (portieri më i mirë në La Liga) në katër sezonet e fundit. Oblak është në rrugën e tij për ta fituar për herë të pestë këtë çmim.
Ky titull “nderi” i portierit më të mirë sot për sot mbështetet edhe nga një raport i gjerë, i përgatitur nga Opta, sajti i specializuar i statistikave në botën e futbollit. Në të argumentohet se me sllovenin nuk krahasohet dot askush.Agjensia statistikore Opta ka bërë një raport për portierët e La Liga-s nga sezoni 2010-2011 e deri më tani. Në të, numrat e Jan Oblak janë mahnitës. Portieri i Atlético Madrid ka mesataren më të ulët të golave të pësuar në La Liga, me të paktën 100 ndeshje të luajtura në dekadën e fundit. Vetëm 0.64 gola për ndeshje ka pësuar slloveni.

I dyti në këtë klasifikim është Víctor Valdés, i cili pësoi 98 gola në 124 ndeshje, me një mesatare prej 0.79. Është domethënës fakti që i treti renditet Thibaut Courtois, me një mesatare prej 0.9 golash për ndeshje. Belgut i llogaritet eksperienca tek Atlético Madrid, ku pësoi 125 gola në 154 ndeshje (mesatarja, 0.81), dhe Real Madridi (mesatarja 1.10). Diçka që flet shumë për performancën mbrojtëse të Atlético Madridit të Diego Pablo Simeone. Dy portierët kryesorë të tij janë ndër më të mirët e dekadës në La Liga.