Dy studime sugjerojnë se nivelet e larta të ndotjes së ajrit mund të rrisin rrezikun e vdekjes nga koronavirusi. Mjekja e OBSh, Maria Neira tha se shtetet me nivel të lartë ndotje si Amerika Latine, Afrika dhe Azia duhet të forcojnë përgatitjet e tyre. Personat me probleme të lidhura me ndotjen në vendet ku nivelet e saj janë të larta, kanë paraqitur formë të rëndë të koronavirusit. Por profesionistët mjekësorë thonë se është shumë herët për të provuar një lidhje direkte. Në një intervistë për median prestigjoze britanike BBC, Neira tha: “Ne do të bëjmë një hartë të qyteteve më të ndotura bazuar tek të dhënat tona për të mbështetur autoritetet kombëtare në këto rajone, në mënyrë që ato të përgatisin një planin e tyre të përgjigjes epidemike”.
Një studim amerikan sugjeron se niveli i vdekjeve nga Covid-19 është rritur me rreth 15% në zonat ku ka patur edhe rritje të vogël të niveleve të ndotjes nga grimcat e imëta në vitet para pandemisë. Raporti nga Universiteti i Harvardit thotë: “Modelet në shkallët e vdekjes nga Covid-19 në përgjithësi imitojnë modelet në zonat me dendësi të lartë popullsie por edhe ato të ekspozuara ndaj grimcave PM2.5”.
Këto grimca, më përpara janë lidhur me një sërë problemesh shëndetësore përfshirë infeksionet e frymëmarrjes dhe kancerin e mushkërive. Studimi i Harvardit nuk është shqyrtuar ende nga hulumtuesit, por kryetarja e epidemiologjisë në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut, Annette Peters tha se këto gjetje janë të ngjashme me raportet e mëpashme për vdekshmërinë si pasojë e pneumonisë.
“Është një nga studimet e para që provon dyshimin tonë dhe hipotezën se ashpërsia e infeksionit Covid-19 mund të shtohet nga ndotja e ajrit në lidhje me grimcat”, tha ajo.
Autorja e raportit Francesca Dominici tha: “Shpresojmë se do të ndihmojë në ndalimin e cilësisë së ajrit nga përkeqësimi, veçanërisht kur dëgjojmë për autoritetet që përpiqen të zbusin rregullat e ndotjes në mes të kësaj pandemie”.