Një prej studimeve më të mëdha në Britani mbi pacientët e infektuar nga koronavirusi tregon se 1 e treta e tyre që janë shtruar në spitale kanë ndërruar jetë. Më pak se gjysma e të infektuarve të shtruar kanë dalë nga spitalet ndërsa pjesa tjetër janë ende në trajtim. Profesori Calum Semple i universitetit të Liverpulit shprehet se statistika e vdekshmërisë në spitale është me të njëjtën magnitudë si Ebola.
Ai sjell në vëmendje se 35-40 përqind të të infektuarve me Ebola që janë të shtruar në spitale ndërrojnë jetë si pasojë e sëmundjes. “Njerëzit duhet ta lexojnë këtë, kjo është një sëmundje shumë e rrezikshme”. Pjesë e këtij studimi ishin 17 mijë pacientë në 166 spitale të vendit. Obeziteti dhe mosha madhore rrisin probabilitetin e vdekshmërisë. Gjithashtu sipas po këtij studimi, meshkujt janë më të predispozuar të kenë simptoma më të rënda nga koronavirusi.