Nga Albiona Sulo/
E di që e vonova pak këtë takimin tonë të radhës, por ishte një javë e ngarkuar me punë dhe jo vetëm. Veҫ angazhimeve profesionale zgjodha që pjesën tjetër t’ia kushtoja vetes dhe të kuptoja më mirë se ҫfarë kisha nevojë. Ishin disa prej atyre ditëve kur ti zgjohesh me përtesë në mëngjes dhe bën atë rutinën e detyrueshme shoqëruar me mungesë motivimi. Por që unë mendoj që është ok, mos të jesh ok. Jo vetëm në një periudhë aspak normale për të gjithë ne, por edhe në jetën tonë të përditshme, ditë si këto janë mëse normale. Ndaj zgjodha ta ul pak rritmin, të kryej detyrimet profesionale dhe pjesën tjetër të ditës të rrija me veten time.
Më shërbeu për mirë, sepse kuptova se ҫfarë kam nevojë, ҫfarë dhe kush më mungon, ҫfarë dhe kush nuk më mungon, kush është pranë për të duruar mesazhet e mia në këto ditë….Me pak fjalë mësova të vlerësoj më shumë ato që realisht vlejnë në këto ditë dhe të gjithë njerëzit që kam pranë, por edhe ata që s’janë. Besoj e kam gati atë listën e njerëzve të rëndësishëm që do dua ti përqafoj të parët kur të dalim nga karantina dhe ti kthehemi jetës normale.
Që të dalim pak tani nga pjesa melankolike dhe të fillojmë të marrim ritmin, ҫka më ka ndihmuar më shumë këto ditë ka qenë aktiviteti fizik. Le të themi që unë nuk jam personi që harxhon shumë kohë në palestër apo që është gjithmonë i abonuar. Unë shkoj në palestër vetëm kur e kuptoj që nuk kam më zgjedhje tjetër dhe se vera është afër tashmë ( e di që kam shumë shoqe dhe shokë aty jashtë). Kur filloi karantina kisha një muaj që i isha rikthyer palestrës dhe këtë herë e kisha marrë seriozisht. Disa miqtë të mi madje më thonë, aman mos e merr më aq seriozisht palestrën se më duket prej teje e kemi këtë karantinën ?. Po duket se vijoj ta kem me qejf, sepse kam zgjedhur të stërvitem ҫdo ditë në shtëpi dhe jam e bindur që nëse jeta do të vazhdonte normalisht palestrën nuk do e frekuentoja ҫdo ditë. Zgjedh të bëj rreth 40 min në ditë ushtrime, që i shoh në youtube, ka video me shumicë, por gjithashtu edhe në livet e palestrave më të mira në Tiranë në instagram. Në ditët si të kësaj jave që lam pas, kur më mungonte pak motivimi, zgjodha të ndiqja livet e Niko Spiros në instagram, duke kërcyer bëja stërvitjen e ditës, por nga ana tjetër merrja edhe energji pozitive. E në fund e mbyllja me disa minuta yoga. Këtë të fundit kam ndërmend ta rifilloj seriozisht kur të mbaroj karantina sepse të jep një ndjesi qetësie që të gjithë kanë nevojë.
Besoj të gjithë e kuptuat, që këtë herë sfida në instagram janë videot nga rutina juaj e stërvitjes në kushtet e shtëpisë. Këtu jam e bindur që do kemi shumë pjesëmarrje, njësoj si me videot e gatimit, se kam parë që është aktiviteti i dytë më i preferuar.
Fundjavë të këndshme, e mos harroni të thoni një lutje a dëshirën tuaj, sepse janë Pashkët e besimtarëve katolik. Ndaj bashkë do të dëgjohemi javën tjetër, sepse kam zgjedhur që drekën e Pashkës nesër në shtëpinë time ta përgatis vetë, mami meqë ka festën të bëj pushim.