Nga Mira Kazhani/

Ti, i pari që po e lexon këtë rresht, a nuk the sot me vete, kur pe dritën jashtë: “Ç’bëhet kështu?!” A nuk të përfytyrohen të premtet e njëherë e një kohe kur bëje plane, pije një gotë dhe ah, s’kish si të shtunat në mëngjes. Më të bukurat në botë! A nuk po e themi njëzëri me të gjitha format, kombinimet e shkronjave se na mungon në kockë sot jeta që kishim, ata që ishim, as jeta që donim të kishim atëherë, as ata që donim të ishim atëherë.

Sot na mungojnë gjëra krejt sipërfaqësore, të pamendueshme si gëzime para dy muajsh. Ku janë “hater-sat” e ditës së hënë? A s’ju dhemb shpirti për një të hënë?!

Zgjimi me zile, vrapi për të kapur orarin, për t’u veshur bukur, pak spruco parfumi dhe para ashensorit…

Dikush për një konferencë të rëndësishme, një për në aeroport, një tjetër kthehet, një po merr trenin, të gjithë në rrugën e tyre, me qëllimet personale.

Jam në ballkon ndërsa shkruaj “rreshtat”. Kam mësuar përmendësh çdo pllakë dhe njoh të gjithë lagjen. Tani sapo erdhi makina e plehrave dhe dy burra që zbritën prej saj bëjnë veprimet mekanike duke fishkëllyer një muzikë që s’e njoh, por më parë nuk i shihja kurrë me këtë sy, besoj që nuk iu kam hedhur sytë. Tani i shoh çdo ditë nga ballkoni dhe, edhe pse me një punë të mundimshme, më duken më normalë/funksionalë ngaqë jeta s’u ka ndalur, edhe pse kur normaliteti të jetë kthyer unë dhe të gjithë do t’i harrojmë njerëzit si dy burrat që bëjnë muzikë me fishkëllimë me shpejtësinë që mbaron pasi makina ndizet dhe dy burrat me kominoshet e punës ngjiten pas makinës së plehrave derisa zhduken rrugës nën pemë.

Tani kemi kohë të shohim e dëgjojmë. Të mendojmë për gjëra të vogla dhe mund të bëjmë kritikë arti edhe për nivelin e zërit edhe të korit të zogjve.

Tani na merr malli për çdo gjë që dikur na ka mërzitur dhe s’na mungojnë gjërat që kërkonim, që i aspironim si kuptimin më të lartë të jetës. Hiç, një asgjë. Sot edhe kasierja ka më shumë jetë sesa ti, ajo punon dhe nuk ka kohë të numërojë cicërimat e fluturakëve nëpër lagje, as mendimet e errëta, as frikën apo shpresën. Ah, shpresa sa shumë e mbivlerësojmë! Gjërat janë edhe më të thjeshta dhe shpresa ka veç një emër: Vaksinë! Ajo gjilpërë e vogël varet nga shkëncëtarët tek të cilët na hodhi jeta ne konsumatorëve të përbindshëm të teknologjisë së fundit. Ne që i kishim të gjitha derisa një lakuriq na vuri në lojë, na vuri përposhtë dhe na la në ballkon si analistë.

Njerëzit më pyesin: Hë ç’ka ndonjë të re? Se ti bën lajme?

Asnjë s’e di sot sa do zgjasë kjo kohë. Çfarë do ndodhë me botën apo me normat dhe normalitetin e ri. Se di nëse është ballkoni, por pyetje janë bërë tani si enët që duhen larë disa herë në ditë dhe deri tek vaksina mund të ndodhin gjëra më të mëdha sesa Virusi?!

-A duhet të kemi kujdes në zgjedhjet që bëjmë e që lejojmë të bëjnë mbi ne, sepse, siç shumë intelektualë po e thonë me gojë të madhe, nacionalizmat, izolimi dhe totalitarizmi mund t’i hapin strehë vetes në mesin e tmerrit dhe banorëve të trembur të planetit tokë?! A do heqim dorë nga dhënia e dorës? Ndonjëherë e ndjej që më pëlqen ideja, sidomos për disa njerëz që kanë atë problemin me duart që iu djersijnë. Por, ka njerëz që do doja t’i takoja. A mund të na zhduket një kulturë qindravjeçare? Se dimë!

Në Shqipëri para normave kanë ndryshuar edhe ligjet. Tani mund të bësh burg nëse përhap virusin. Kush do ta kish menduar para dy muajsh se një njeri që përhap “gripin” është pak a shumë kriminel.

Sa kohë jam në ballkon nuk jam as kriminele!

-Po ky Donald Trump, në anën tjetër të kontinentit, kërkon të zhbëjë OBSH-në, (edhe pse kjo e fundit nuk është virgjëreshë në historinë e Covid-19, bashkë me Kinën). Kërcënimi për t’i hequr fondet quhet kriminale nga disa intelektualë, shkencëtarë, njerëz me mend, me pak fjalë. Errësira e Covid-19 efekt!

Bota është e komplikuar për momentin dhe e vetmja gjë që të kujtohet është jeta që kishim, megjithë budalliqet, kotësitë… sot është e vetmja Jetë që duket me jetë.

Derisa mbërrin një lakuriq dhe e gjithë bota kalon në ballkon!

P.S. I kam pasur gjithmonë frikë dhe kur isha e vogël në shtëpinë e gjyshërve kam dëshmuar në dritaren e tualetit një buf dhe një lakuriq nate, por pas një të qare jeta nisi prapë në mëngjes. Ishin kohë të tjera. (TiranaPost.al)