Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, gjatë ditës së sotme nga Shqipëria është nisur drejt Kosovës grupi i qytetarëve turq të cilët më pas do të nisen në Turqi, në kuadër të operacioneve për kthimin në vendin e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë përcjelljes së tyre në Tiranë ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës, ndërsa me flamujt e Turqisë në duar ata u nisën drejt Prishtinës.
Ambasadori Yörük, duke folur për AA, tha se në kuadër të urdhrit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, vazhdon faza e dytë e operacionit për riatdhesimin e qytetarëve turq të cilët kanë mbetur në vende të ndryshme të botës.
“Ne si ambasadë sot kemi marrë masat për t’iu siguruar edhe ushqim për këtë udhëtim qytetarëve tanë, maska dhe mjete të tjera të nevojshme. Nëse do ta shikoni për nga ana humanitare, ky është një operacion shumë i madh. Turqia është një vend i madh dhe i fuqishëm që përmes këtyre operacioneve të riatdhesimit edhe në një kohë krize arrin ta realizojë dhe t’u vijë në ndihmë qytetarëve të saj. Të gjithë qytetarët janë falënderues ndaj presidentit, qeverisë, shtetit tonë dhe ambasadës tonë këtu për interesimin ndaj tyre”, tha ambasadori turk.
Ai theksoi se në këtë kohë krize, Turqia vazhdon të dërgojë ndihma humanitare për shumë shtete që janë në gjendje të vështirë dhe shtoi se deri më tani kanë ardhur kërkesa për ndihmë nga 144 vende të botës.
“Deri më sot, Turqia ka ndihmuar 44 vende të ndryshme, përfshirë edhe anëtarë të BE-së, si Italia, Spanja, si dhe Britaninë. Normalisht që nuk mund të lëmë pa ndihmuar vendet tona aleate dhe mike të Ballkanit. Jemi munduar të shtrijmë dorën e ndihmës edhe këtyre vendeve. Kohët e fundit Turqia ka ndihmuar Shqipërinë me materiale mjekësore dhe ndihma. Dërgimi i tyre është bërë i mundur me leje të posaçme nga Presidenti i Turqisë. Kohët e fundit, Turqia ka sjellë si dhuratë në Tiranë edhe 6 autoambulanca me të gjitha pajisjet, me qellim ardhjen në ndihmë vëllezërve tanë shqiptarë në luftën kundër pandemisë”, u shpreh ambasadori Yörük.
Ai tha se Turqia ka ditur të menaxhojë mirë këtë krizë duke marrë masat në mënyrën më të mirë, ndërsa theksoi më tej se ditën e djeshme në Turqi është inauguruar spitali me praninë më të madhe të respiratorëve në Evropë. Ai më tej tha se “Dy pjesë të këtij spitali tashmë janë fokusuar krejtësisht në luftën kundër COVID-19. Nëse do të krahasonim me statistikat e vendeve të tjera, Turqia ka treguar një ndryshim të madh si me rastet në përgjithësi ashtu edhe me rastet me pasojë vdekjen. Kjo tregon masat e marra në kohën e duhur dhe forcën e Turqisë përsa i përket shërbimeve mjekësore dhe gjendjes së mjekësisë atje.”
Ndërkohë, 27 qytetarë turq të moshave të ndryshme dhe 1 gjeorgjian që ishin me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri janë nisur me autobus drejt Prishtinës, ku më pas gjatë mbrëmjes së bashku me shtetas të tjerë turq do të nisen me avion drejt Turqisë.
Turqia gjatë javëve të fundit ka kryer operacione për kthimin në vend të shtesave turq të bllokuar në për shkak të masave kundër përhapjes së COVID-19 në vende të ndryshme.