Nga Isaac Chotiner*
Presidenti Donald Trump e ka quajtur koronavirusin një armik të padukshëm. Ai ka shprehur dëshirën për ta hapur vendin nga izolimi përpara Pashkëve duke kundërshtuar kështu mendimet e shumë ekspertëve të cilët i kanë thënë se gjer atëherë situata nuk mund të rregullohet.
Deri tani në SHBA ka pasur rreth 2000 njerëz që kanë vdekur nga koronavirusi.
Richard Epstein i cili është këshilltar në administratën e Trump dhe punon si profesor në shkollën e ligjit të Universitetit të Nju Jorkut është një nga personat që në literaturat akademike citohet më së shumti, por njëkohësisht ai ka bërë famë edhe për qasjet e tij për shumë tema kontradiktore si përshembull ajo e refuzimit të pranimit të provave të qarta se ka ngrohje globale.
Kështu vendosa të realizoj një intervistë me zotin Epstein mbi pikëpamjet e tij mbi koronavirusin (intervistë që Gazeta “Si” po jua sjell më poshtë).
– Në një artikull keni shkruar që rreth 500 njerëz mund të vdesin nga koronavirusi e më pas e keni ndryshuar në 5000. Çfarë keni dashur të arrini me këto shkrime?
“Unë pashë disa kurba nga “New York Times” e në bazë të projeksioneve të tyre dilte që nga korriku të kishte 10 milionë raste me koronavirus çdo ditë. Nuk isha i bindur për to e vendosa të bëj një shkrim duke u bazuar në modelet e kurbave të përhapjeve të gripeve të zakonshëm si ai i 2009-ës me H1N1″.
– Në artikullin tuaj ju bëtë një gabim ku në fillim shprehët se do të vdisnin 500 njerëz e më pas e ndërruat në 5000 sapo patë që numri i të vdekurve e kaloi shifrën tuaj brenda 1 jave…
“Është normale të ndodhin gabime të këtilla në përllogaritjet statistikore. Unë thjesht u bazova mbi disa modele e në fillim nisur nga projeksioni që kisha më rezultonte 500 por më pas teksa numri i të vdekurve dhe i të infektuarëve mori hov e rregullova projeksionin tim. Pastaj këto gabime janë bërë e në gazeta të tjera, mjafton të shihni se ç’ka shkruar “New York Times” mbi parashikimet e përhapjes së sëmundjes”.
– Në artikullin tuaj kishit shkruar se pse ka kaq shumë mospërputhje në shqetësimin që bëhet nga gripi i zakonshëm me atë që po bëhet tani nga koronavirusi. Vazhdoni i qëndroni kësaj dileme?
“Po, pasi nuk mund të pandehësh se rritja e infeksioneve do të vazhdojë me rritje eksponenciale se me atë logjikë i bie që të tërë të jemi të vdekur. Ajo cfarë bëra unë është që implementova një strukturë të ngjashme të kurbës së përhapjes së koronavirusit me kurbat e gripeve të tjerë, por duke u bazuar nga norma e rritjes së vlerave që kisha në posedim gjer në atë moment. Vjen një moment që shoqëria do e gjejë një mënyrë e do të mund ta menaxhojë situatën apo akoma dhe më mirë, ta eliminojë këtë virus, por jo të japim lajmin a thua se e gjithë popullsia do të vdesë brenda një kohe të shkurtër”.
– Në artikullin tuaj keni shkruar se tendenca e virusit do të vijë duke u zbutur. Është opinion i juaji ky apo fakt që e keni marrë gjëkundi?
“Unë nuk mund të them se jam 100% i sigurt se tendenca e virusit do të vijë duke u dobësuar. Por duke parë rastet në Kinë, Kore të Jugut mund të them se numri i rasteve pas një kohe ka ardhur duke u ulur. Në Kinë e në Kore të Jugut me logjikën tuaj që është shfaqur në media me rritjen eksponenciale, i bie që sot të kishim në këto vende gjysmë milioni njerëzish të infektuar”.
– Në artikulin tuaj shkruani se “Ka dy faktorë që duhen marrë parasysh. Njëra është mosha e popullsisë së ekspozuar dhe e dyta është virulenca e virusit teksa shpejtësia me të cilin virusi përhapet ngadalësohet. Kjo mund të krahasohet me SIDA-n (AIDS) e cila në fillim ishte e fuqishme por më pas erdhi duke u dobësuar e shfaqur në forma më të dobta.” Për çfarë formash më të dobëta e keni fjalën?
“Gjithçka mund të shpjegohet më së miri nga kurba e shpërndarjes normale në formë këmbane. Vjen një moment kur kreshta kap pikun e më pas nis e bie. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me sifilizin. Në fillim ishte shumë i fortë e ka bërë kërdinë. Por ata që mbijetuan falë medikamenteve që dolën me kalimin e kohës patën mundësinë e të paturit të një versioni më të dobët të saj e kështu nisën të përhapin version më të zbutur të sifilizit”.
– Pra ju po pohoni se ka forma më të dobta të SIDA-s?
“Po, shumë sëmundje me kalimin e kohës kanë pasur pikun e tyre e më pas janë ulur gjersa preknin një numër shumë të vogël njërëzish në botë çdo vit e kjo e falë medikamenteve të ndryshme që dalin e luftojnë shfaqjen e simptomave që i riskojnë jetën njerëzve”.
– Ju keni përdorur frazën “formë e dobët e virusit” por unë nuk po gjej dot artikuj shkencorë që ta mbështesin. Ku jeni bazuar?
“Është një teori e imja. Kam aplikuar teorinë e ekonomisë standarte evolucionare bazuar nga ajo e Darvinit (në anglisht standard Darwinian economics) në rastin e koronavirusit”.
– Po a s’mendoni se duhet të jesh i kujdeshëm për këto që publikon pa pasur mbështetjen akademike?
“Shikoni, unë kam pasur mbështetjen e disa prej kolegëve të mi të institutit Hoover (Hoover Institute është një “think tank” në amerikë që publikon shkrime e analiza të ekspertëve të fushave të ndryshme). E ata e kanë aplikuar këtë model në shumë situata të caktuara plus unë dëshiroj të jap zërin tim e që shpresoj që të jetë diçka ndryshme nga e njëjta gjë që po dëgjojmë çdo ditë nëpër lajme”.
– Në artikullin tuaj keni shkruar se sistemi shëndetësor amerikan si zor të kompromentohet në të njëjtën mënyrë si ai i Italisë. Mendoni se mbireagimi që qeveria e autoritetet e ndryshme po marrin do të mund të ndalojnë një situatë si ajo e Italisë apo po pohoni që thjesht jemi duke mbireaguar?
“Mendoj se të dyja bashkë. Tani për momentin spitalet tona kanë disa herë më pak të infektuar seç kishim gjatë kohës së pikut të gripit gjatë vitit të kaluar (sqarim: Gjatë intervistës kjo ishte e vërtetë por tani statistikat kanë ndryshuar). Gjithashtu kjo parapërgatitje që sistemi ynë shëndetësor ka bërë duke mbledhur sa ka mundur respiratorë, e aparatura të tjera që i’u nevojiten pacientëve në gjendje kritike nga Covid-19 mendoj se do të na ndihmojë shumë në përballimin e situatës. Por duhet bërë kujdes me izolimin pasi shumë prej miqve të mi po ikin nga Nju Jorku ku masat izolimit janë më të rrepta drejt zonave rurale ku influenca e autoriteteve bie ndjeshëm e aty ata janë duke e përhapur këtë virus”.
– Në një artikull nga Vox Recode Bill Gates shprehet se ky izolim duhet të vazhdojë e është kundër mendimeve si të presidentit Trump që dëshiron hapjen e ekonomisë pasi dëmi do bëhet i papërballueshëm. Ju si mendoni?
“Mendoj se zoti Gates është më populist se unë. Është shumë e vështirë të bësh zgjedhjen midis jetës së njerëzve që mund të vdesin nga koronavirusi dhe një ekonomie të tërë që nëse lihet pasdore përsëri do të vrasë jetëra njerëzish (e sigurisht këtu fjalën vrasje nuk e kam me kuptimin e parë të fjalës). Unë mendoj se duhet një supervizim më i mirë e masa më adekuate në këtë pandemi”.
– Mendoj se ajo çka zoti Gates ka dashur të shprehë është se nëse ne nuk e izolojmë ekonominë ne do të shkatërrohemi nga koronavirusi?
“E kuptoj shumë mirë atë që zoti Gates ka thënë por nuk mund të shprehemi me siguri se izolimi i ekonomisë e i njerëzve është gjëja më e mirë. Si ta mbyllim ekonominë apo mos ta mbyllim ekonominë, impakti i shkatërrimit përsëri do të jetë i madh e mbase kështu me ekonominë e mbyllur gjërat edhe mund të përkeqësohen. Ne duhet të veprojmë për diçka të re e jo ta paralizojmë vendin për periudha që përsëri do të rezultojnë me efekte shkatërruese për ne”.
Isaac Chotiner është gazetar për “The New Yorker”