Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten pasdite i është nënshtruar një ndërhyrjeje ‘kirurgjike – endourologjike’ në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zyra e presidentit tha se “sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional”.
Pas përfundimit të ndërhyrjes, thuhet në njoftim “presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë dhe gjithë shërbimit”.
Presidenti Thaçi, në dy raste gjatë këtij muaji është shtruar për pak kohë në spital për shkak të shqetësimeve të shfaqura nga gurët në veshka.