Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu u ka bërë thirrje uniformave blu që të mos tolerojnë asnjë automjet që të lëvizin përtej dy fashave orare të lejuara, që janë 05:00-8:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30.
Gjatë një inspektimi të bërë në për zbatimin e masave të marra, shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Sigurinë Gjovalin Loka dhe Drejtorin e Policisë Tiranë Rebani Jaupi, Veliu sqaroi se do të lejohen të qarkullojnë pa limit vetëm makinat e transportit të mallrave.
“Mos toleroni asnjë drejtues mjeti 4+1, i cili pavarësisht autorizimit që mund të ketë, lëviz jashtë fashave orare të lejuara, si dhe jashtë destinacionit për të cilin ka marrë autorizim. Do lejohen të qarkullojnë pa limit, vetëm makinat e transportit të mallrave, ndërsa makinat e vogla të bizneseve do të lejohen të qarkullojnë vetëm në fashat orare të lejuara, me qëllim vajtjen në punë dhe kthimin në banesë”, tha Veliu.
Sa i përket urgjencave, drejtori i Përgjithshëm ka bërë me dije se duhet të telefonojnë në numrin 112 ose 129, për të dhënë të dhënat dhe targën e mjetit me të cilin do të kryejnë lëvizjen dhe nuk do të hasin asnjë problem gjatë rrugës. Në fund, Veliu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat kufizuese, duke lëvizur vetëm një pjesëtar i familjes, me lejen e marrë nga e-Albania, për të bërë pazar dhe për arsye tjetër.