Shkodranët kanë kanë kaluar 60 minuta ndryshe këtë pasdite, nën tingujt e muzikës së mjeshtrit dhe bilbilit të Shkodrës Bujar Qamili.
Të mbyllur në shtëpi, me dritaret e dyert e ballkoneve hapur, qytetarët kanë duartrokitur këngëtarin i cili i ka dhuruar qytetit të tij sot emocione për një pasdite ndryshe në një kohë të vështirë që po kalon vendi, për shkak të izolimit me qëllim, frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Bujar Qamili ka kënduar këngë të repertorit të tij dhe ka përshëndetur me këto fjalë:
“Të gjithë ju që jeni në ballkone e dritare, ishte një dëshirë jo vetëm e imja, që të jem një orë në mesin tuaj e të kalojmë një pasdite ndryshe nga këto që kemi kaluar, do mundohenm që t’ju kënaq jo vetëm ju por të gjithë teleshikuesit që po na ndjekin drejtpërsërdrejti”.
Në qendër të qytetit u vendos një skenë provizore, ku Qamili këndoi njëkohësisht hitet e tij si “Ah Pranvera” që i përshtatet këtij momenti, “Ky marak”, etj.
“Kur më thanë mendova si do jetë një koncert pa spektator, por unë këtë kënaqësi e kam sot, se ky publik nuk më mungon, është kjo Shkodër që me duartrokitjet e tyre më bëri këngëtar, prej duartrokitjeve të tyre jam sot këtu ku jam”, tha Qamili.