Pavarësisht situatës me COVID-19 dhe nevojës për të ndihmuar çdo ditë me ushqime familjet në nevojë dhe të moshuarit e vetmuar, Bashkia e Tiranës vijon punën me projektet infrastrukturore, sidomos për ndërtimin e shkollave të reja. Duke respektuar masat e distancimit social dhe higjenës personale, puna për ndërtimin e shkollës “Nënë Tereza” në Kodër-Kamëz po e ecën me shpejtësi.
Shkolla e re ka nisur të marrë formë si një nga projektet më të bukura dhe moderne të Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se pavarësisht pandemisë, puna për këtë projekt nuk do të ndalet.
“Para se të niste pandemia, përuruam kopshtin në Kodër-Kamëz, i cili lehtësoi një pjesë të madhe të familjeve që i çonin fëmijët e tyre në Laprakë ose tek Zogu i Zi. Por, shkolla “Nënë Tereza”, e cila do të jetë shkollë e mesme, shkollë 9-vjeçare, parashkollor dhe kopësht njëkohësisht, zgjidh përfundimisht një problematikë të madhe për këtë komunitet. Ajo që kuptuam nga situata e pandemisë është se kombet që u bëjnë ballë sfidave nuk janë kombet që kanë, por ato që dinë”, tha Veliaj.
Shkolla “Nënë Tereza” është pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë, të cilat rrisin cilësinë e mësimdhënies në kryeqytet.