UEFA dhe ECA (Shoqata e Klubeve Europiane) kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme në orët e fundit me synim gjetjen e konsensusit për rifillimin e ligave vendase dhe përfundimin e garave europiane brenda verës.
Sipas rrjetit SER, të dyja organizatat bien dakord që ndeshjet e mbetura të kampionateve të zhvillohen gjatë korrikut, ndërsa ato të Championsit League dhe Europa League-s të luhen gjatë muajit gusht.
Turnetë e UEFA-s do të modifikoheshin në raundet finale, pasi nuk do të zhvilloheshin me sfida vajtje-ardhje, por me një përballje të vetme, në një fushë asnjanëse, sikurse ndodh me takimet finale.
Si ECA ashtu edhe UEFA nuk e përjashtojnë mundësinë që ndeshjet e mbetura të luhen pa praninë e tifozëve, për të shmangur shpërthimet e reja të koronavirusit.
Nëse do të zbatohet ky plan, futbollistët do të shijojnë 21 ditë pushime gjatë ditëve të fundit të gushtit dhe ditëve të para të shtatorit, para se të nisë sezoni i ri.