Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka folur në “Open” për situatën me emigrantët shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar në kufirin me Greqinë.
Ai tha se për 30 personat do të ketë një përjashtim, por ky do të jetë i fundit, pasi shteti ndodhet në karantinë.
“Më vjen shumë keq pë rata persona. Shteti shqiptar sot është në karantinë.Për ato persona që janë atje do të ketë një përjashtim të fundit. Këshilli i Kordinimit i Diasporës ka ofruar që të paguajë hotelin për karantinimin. Ky është grupi i fundit. Kjo do të thotë që nuk do të ketë të tjerë. Jemi një shtet në karantinë. Ne kemi dëgjuar specialistët që na kanë thënë mbyllni çdo kufi. Prandaj për ato 30 persona të mbetur në Kapshticë do të ketë një përjashtim i cili është i fundit”, tha Majko.
Ministri i Diasporës theksoi se emirantët e bllokuar në doganën e Kapshticës do të karantinohen në hotel me shpenzimet e paguara nga shteti për 14 ditë.
Majko tha se Këshilli i Koordinimit ka marrë përsipër për vetëm 21 emigrantët e mbetur në kufi të paguajë të gjitha shpenzimet, ndërsa ripërsëriti thirrjen për emigrantët e tjerë që të mos nisen drejt Doganës nëse nuk ka marrë autorizim nga Konsullata.
“Për ata 21 veta që janë atje unë kam folur me ministrin e Brendshëm dhe atë të Jashtëm. Për këta 21 veta të ketë një histori përjashtimore. Është një mundësi e fundit, do ju paguhet qëndrimi i tyre në karantinë nga Këshilli i Koordinimit. Por është vetëm për këta që kanë mbetur në kufij. Për të gjithë të tjerët nuk bëhet fjalë të hapet kufiri”, u shpreh Majko.