Zyrtari i Barcelonës që dha dorëheqje zbulon të ardhmen e Messit dhe Neymarit
Ish-zëvendëspresidenti i Barcelonës që dha dorëheqje javën e kaluar, Emili Rousaud, ka thënë se Lionel Messi do të nënshkruajë kontratë të re me klubin së shpejti, përderisa ka shtuar se edhe Neymari mund të kthehet në Camp Nou gjatë verës.
Kapiteni argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si profesionist te klubi katalonas, përderisa ka lënë të kuptohet disa herë se mund të vendosë edhe të pensionohet në Camp Nou, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Barcelona ka qenë e goditur nga disa skandale gjatë kohës së fundit, si zënkat mes drejtorëve, dhe kjo e ka vënë në pah kontratën e Messit që ia lejon argjentinasit të largohet nga Barcelona çdo verë pa asnjë cent, edhe pa dëshirën e klubit katalonas.
Për më tepër, kontrata e tij, e rinovuar për herë të fundit më 25 nëntor të vitit 2017, është e vlefshme deri më qershor të vitit të ardhme. Por, Rouasud beson se argjentinasi do ta nënshkruajë një kontratë të re së shpejti.
“Mendoj se Messi dhe Barcelona do ta arrijnë një marrëveshje për rinovimin e kontratës së tij. Për ta arritur një marrëveshje, dy palët duhet ta arrijnë një lloj koncesioni, mirëppo unë do të habitesha nëse kjo histori e bukur nuk do të zgjaste më shumë”, ka thënë Rousaud.
Më tutje, Rousaud ka thënë se edhe Neymari mund t’i bashkohet skuadrës së Barcelonës për sezonin e ardhshëm, pasi që mendon se kriza e virusit Covid-19 do t’i ulë çmimet e lojtarëve.
“Mendoj se është e mundur që Neymari të kthehet këtë verë. Mua nuk më duket aspak e pamundur. E kam një ndjenjë që pandemia do të shkaktojë uljen e çmimeve të lojtarëve, që është gjë e mirë për blerësit, por e keqe për shitësit. Ne do të duhet ta shohim si ribaraspeshohen të gjithë këta faktorë”, shtoi Rousaud.